Steinmeier: Procesi i Berlinit përshpejton integrimin në BE

(Lajm i përditësuar)
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ishte i qartë në mesazhet e tij konkrete ku nënvizoi se Procesi i Berlinit është rruga për të përshpejtuar rrugën e anëtarësimit drejt BE-së.
Madje nënvizoi se është e rëndësishme që të zbatohet në pikëpamje konkrete marrëveshjet e firmosura në kuadër të këtij procesi, dhe jo vetëm të jenë marrëveshje politike
Në asnjë fjalë as në parlament dhe as në konferencën e përbashkët presidenti i Gjermanisë nuk përmendi nismën Ballkani i Hapur.
“Gjermania e ka parë përgjegjësinë e vet edhe për të mbështetur reformën e drejtësisë dhe për tu aktivizuar në reformën elektorale. Mendoj se në Shqipëri dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor është perceptuar qartësisht se ne e shfrytëzojmë Procesin e Berlinit për të përshpejtuar rrugën e anëtarsimit drejt BE-së, që këtu të krijojmë e të bëjmë gati rrugën për një bashkëpunim rajonal duke reduktuar p.sh. pengesat e mobilitetit të Ballanit Perëndimor. Në këtë kontekst luajnë një rol të rëndësishëm edhe tre marrëveshjet e mobilitetit. E rëndësishme është që këto marrëveshje të zbatohen nga pikëpamja konkrete dhe jo vetëm të jenë marrëveshje politike në mënyrë që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor pa pengesa dhe vetëm me kartat e identitetit të mund të lëvizin mes njëri-tjetrit. Mobiliteti mes vendeve mund të arrithet në rats se njihen në mënyrë reciproke diplomat universitare dhe kualifikimet profesionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë gjë jemi angazhuar mjaft gjatë muajve të shkuar. Në emër të gjithë instancave të republikës federale të tregoj se kemi pasur suksese të konsiderueshme”, ka thënë ai.
11:11-Steinmeier: Jemi në krah të Shqipërisë, ju mbështesim në rrugëtimin evropian
Sot është zhvilluar takimi mes krerëve të dy shteteve, presidentit gjerman, Frank Walter Steinmeier dhe presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier në konferencën e përbashkët për shtyp deklaroi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin evropian.
“Do vazhdojmë t’iu mbështesim. Përgëzimet e mia për këtë dhe unë shpresoj që shumë shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e BE. Mendoj që suksesi në këtë drejtim do ishte në interesin tonë të përbashkët. Shqipëria do ta pasurojë BE edhe në dimensionin kulturor të saj. Shkëmbimi i ardhshëm që do mbështet nga BE do sjellë shumë më tepër qytetarë do kenë mundësi të shijojnë mikpritjen tuaj, bukuritë natyrore. Kontribuuat që në datën 3 nëntor të nënshkruheshin 3 marrëveshje të rëndësishme mes vendeve të Ballkanit perëndimor. Do ndryshojnë realitetin e njerëzve. Ratifikimi dhe zbatimi i marrëveshjeve do shkurtojë distancat me tregjet e BE duke e shndërruar rajonin, për ta bërë atë më konkurrues. Vitin e ardhshëm në rajon do zhvillohet samiti i procesit të Berlinit. Gjermania do vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë”, u shpreh presidenti gjerman.
Presidenti Bajram Begaj u shpreh se Gjermania është partneri kryesor i Shqipërisë për politikën e jashtme.
Ai tha se me anë të procesit të Berlinit, Gjermania ka ndikuar në politikën e jashtme duke shërbyer si faktor kyç për procesin e integrimit evropian.
“Pas disa ditësh do të mbahet Samiti. Një ngjarje historike për Shqipërinë por edhe përgjegjësia shumë e madhe për vendin tonë. Pritshmëria është që të qartësohet rruga që çdo vend aspirant duhet të ndjekë. Pritshmëritë janë të larta”, u shpreh Begaj.
“Ky është një proces meritash dhe nuk ka proces ‘pro bono’ për askënd. Nuk ka një kohë që mund ta përcaktoj unë, por varet nga puna që çdo vend aspiron të jetë pjesë e BE-së”,  shtoi ai.
10:52-Steinmeier mbërrin në Tiranë, pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti Begaj
Për herë të parë në 27 vjet, Shqipëria u vizitua këtë të enjte nga një president gjerman. Kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj ka pritur me një ceremoni shtetërore Presidentin gjerman, Frank Walter Steinmeier.
Pas ceremonisë me nderime ushtarake, Steinmeier dhe Begaj do të zhvillojnë një takim në ambientet e Presidencës dhe më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Po ashtu, presidenti Gjerman Frank Walter Steinmeier do të mbajë dhe një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë.
Vizita e Steinmeier në Tiranë është sinjal i fortë për mbështetjen e Gjermanisë ndaj integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
08:33-Presidenti i Gjermanisë sot në Tiranë
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do të zhvillojë një vizitë dyditore sot dhe nesër në Tiranë.
Në një intervistë për DW presidenti Frank Walter Steinmeier tha se udhëtimi i tij synon të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë.
Axhenda:
E enjte, 1 dhjetor
Mbërritja në mëngjes në Tiranë, Shqiperi
10.00, Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në Institucionin e Presidentit të Republikës. Pritja nga Presidenti Bajram Begaj me nderime ushtarake. Takim kokë më kokë.
11.00 Konferencë për shtyp me Presidentin e Republikës së Shqipërisë
11.30, Presidenti gjerman mban fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
12.15, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit,
Ceremonia e vendosjes së kurorave pranë Monumentit të Nënës Shqipëri.
12.45, Drekë e shtruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë
14.30, Takim me kryeministrin Edi Rama
15.15, Në gjimnazin “Sami Frashëri”. Bisedë me nxënës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor
16.30, Vizitë tek muzeu “Shtëpia e Gjetheve”
20.00 Pritje e organizuar nga Ambasadori Gjerman
E premte, 2 dhjetor
9.45, “Lufthansa Industry Solutions” Takim me përfaqësues gjermanë të bashkëpunimit të biznesit dhe zhvillimit për tërheqjen e punëtorëve të kualifikuar dhe për trajnimin profesional
12.30, Drekë në Nerat organizuar nga kryebashkiaku Ervin Demo
14.15, Vizitë në Xhamia Mbret dhe Teqenë Halveti
14.45 Vizitë në Kalanë e Beratit
Në mbrëmje largimi nga Shqipëria drejt Berlinit.

Back to top button