Presidenti shpall të shtunën ditë zie në nderim të policit Demaj

E shtuna ditë zie për nder të policit që vdiq në detyrë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës.

Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Izet Demaj është vrarë dje gjatë një grabitjeje të armatosur në Istog. Ai në përpjekje për t’i arrestuar hajdutët, në mbrojtje të qytetarëve dhe të të punësuarve që u morën peng në një filiale të bankës NLB në Istog, pas plagëve nga armë zjarri vdiq Izet Demaj, polic i Policisë së Kosovës me ç’rast u vra edhe grabitësi i bankës./21Media

Back to top button