Presidenti slloven Pahor për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

 

Presidenti slloven Borut Pahor sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të presidentit Stevo Pendarovski.

Pahor, siç njofton Kabineti i tij, do të takohet gjithashtu edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi, si dhe do t’u drejtohet deputetëve në shtëpinë ligjvënëse.

Temat kryesore të bisedimeve do të jenë përparimi i Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi shumëpalësh.

Është parashikuar që Pahor të vendosë kurorë lulesh në varrin e Goce Dellcevit në kishën Shën Spasi në Shkup.

Presidenti slloven nesër do të qëndrojë në Ohër, ku së bashku me presidentin Pendarovski do të marrë pjesë në një stërvitje demonstruese të forcave speciale të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kampin e stërvitjes në ujë – Ohër. Më parë, të dy presidentët do të shëtisin nëpër Ohër duke i vizituar karakteristikat kulturore.

Gjatë vizitës, presidenti slloven do të shoqërohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe i Teknologjisë, Zdravko Pocivalshek dhe nga ministri i Mbrojtjes Matej Tonin./21Media

Back to top button