Presidenti urdhëron të hapet zjarr mbi protestuesit pa paralajmërim

Trazirat nga protestat e dhunshme kanë vazhduar në Kazakistan edhe gjatë ditës së sotme. Sipas autoriteteve shtetërore, numri i viktimave nga të dyja palët është rritur.
Forcat e udhëhequra nga Rusia kanë mbërritur në Kazakistan me kërkesë të liderit autoritar të vendit, që po kërkon t`i shtypë me forcë protestat e fuqishme antiqeveritare. Ministria e Brendshme tha se 26 “kriminelë të armatosur” ishin “likuiduar” dhe 18 oficerë sigurie gjithashtu u vranë gjatë trazirave që shpërthyen si shenjë pakënaqësie ndaj rritjes së çmimit të karburantit.
OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të frenohen nga dhuna, por deri tani, nuk duket të ketë paqe për vendin. Interneti nuk funksionon dhe pak informacione të pavarura mbërrijnë prej andej. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga kanë përfunduar më shukë se 3,000 vetë ndërsa në mbarë vendin janë ngritur 70 postblloqe.
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokajev, ka dhënë urdhër që të hapet zjarr mbi protestuesit. “Unë urdhërova forcat e sigurisë dhe ushtrinë të qëllojnë pa paralajmërim,” tha Tokajevi në një fjalim televiziv.
Thirrjet nga bota për një zgjidhje paqësore të krizës, a ii përshkroi si një “marrëzi”. Çfarë negociatash mund të zhvillosh me kriminelë dhe vrasës?”, tha Tokajevi. Ai shtoi se gjithsej 20000 “banditë” kanë sulmuar qytetin me miliona banorë të Almatyt, i cili ndodhet në juglindje të vendit të Azisë Qendrore, ku trazirat kanë qenë veçanërisht të dhunshme ditët e fundit.
Presidenti, që fajëson për këtë situatë ata që i quan “terroristë” të trajnuar nga të huajt, por pa dhënë prova për këto pretendime, tha se operacionet do të vazhdojnë derisa “militantët të eliminohen plotësisht”. Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po monitoronte nga afër dislokimin e trupave ruse. “Shtetet e Bashkuara dhe, sinqerisht, e gjithë bota do të vëzhgojnë për çdo shkelje të të drejtave të njeriut,” u shpreh një zëdhënës i departamentit, duke shtuar se “do të jenë gjithashtu në ndjekje të çdo veprimi që mund të tregojë kapjen e institucioneve kazake”./21Media

Back to top button