Dy gazetarë u vranë dhe u djegën në një sulm

Dy gazetarë nga Haiti janë qëlluar dhe më pas janë djegur në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince, sipas një prej punëdhënësve të tyre.
Wilguens Louissaint dhe Amady John Wesley kishin udhëtuar në një zonë ku bandat rivale po luftojnë për kontroll.
Punëdhënësi i Wesley, Écoute FM, tha në një deklaratë se ai u vra “në mënyrë të egër” ndërsa raportonte për zonën.
Deklarata, e postuar në Facebook, sugjeron se një nga bandat qëndronte pas vdekjeve, transmeton rtv21.tv.
Një burim sigurie konfirmoi për CNN se burrat ishin djegur të gjallë, ndërsa një tjetër burim i paidentifikuar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se një gazetar i tretë arriti të arratisej.
Situata e sigurisë në Haiti ka rënë ndjeshëm që nga vrasja e presidentit Jovenel Moïse në korrik.
Të shtunën, persona të armatosur u përpoqën të vrisnin kryeministrin Haitian Ariel Henry. Ai ishte zotuar se do të godiste bandat që janë fajësuar për një valë rrëmbimesh në të gjithë vendin.
Megjithatë, policia ka qenë kryesisht joefektive. Ata nuk kanë arritur të organizojnë ndonjë operacion në shkallë të gjerë për të trajtuar dhunën e bandave në vend që nga marsi 2021, kur katër oficerë policie u vranë në një tentativë bastisjeje në një lagje Port-au-Prince.
Nuk dihet saktësisht se cila bandë ka vënë në shënjestër gazetarët. Sipas mediave vendase, ata mund të kenë tentuar të intervistojnë një nga drejtuesit rivalë.
Écoute FM denoncoi sulmin ndaj “gazetarëve që ushtrojnë lirisht profesionin e tyre” në Haiti. Reporterët pa Kufij e përshkruan atë si një vend “të rrezikshëm dhe të pasigurt” për të punuar, duke vënë në dukje se një numër gazetarësh janë vrarë vitet e fundit./21Media

Back to top button