Presidentja Osmani pranon çmimin “Doctor Honoris Causa”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se kap pranuar çmimin “Doctor Honoris Causa”.
Osmani u shpreh se ky çmim është nder për të.
“Nder i dyfishtë ta pranoj çmimin Doctor Honoris Causa nga Universiteti prestigjioz i Ankarasë, e posaçërisht nga Fakulteti Juridik. Ky çmim është respekt ndaj marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, por edhe për popujt, stafin akademik dhe studentët tanë!”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, Osmani gjatë vizitës në Turqi, ka marrë pjesë në shënimin e 14- vjetorit të pavarësisë së Kosovës në një aktivitet të organizuar nga studentët kosovarë dhe shoqatat e mërgatës. Ndërkaq nën organizim të Konsullatës së Kosovës në Stamboll,  Osmani është takuar me përfaqësues të mërgatës, bizneseve dhe studentëve.
Osmani ka çmuar lart kontributin e mërgatës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës.
“E di që mallin për atdhe e keni secili prej jush dhe të çdoditshëm, siç e di që mundi, djersa dhe sakrifica juaj që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë nuk kanë munguar kurrë. Kosova mbijetoi edhe shkaku i juve, shkaku i kontributit të mërgatës kudo në botë, përfshirë në Turqi”, ka theksuar Osmani.
Ajo e ka quajtur mërgatën “shpirti dhe zemra e Kosovës”, teksa ka shfaqur bindjen se me mbështetjen e saj, Kosova do të vazhdojë të shënojë suksese.
Ndërkaq në takimin me përfaqësues të shoqatave të mërgatës, bizneseve dhe studentëve, të organizuar ngas Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll, Presidentja Osmani e ka cilësuar mërgatën ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës./21Media

Back to top button