Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin

(Lajm i përditësuar)


Osmani paralajmëron takime me liderë të partive për datën e zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike në Kosovë, pasi bëri të ditur dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo gjatë konferencës për media tha se sot do t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike për datën e zgjedhjeve.

“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive  për datën e zgjedhjeve sepse është obligim që të konsultohemi paraprakisht dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve”, tha Osmani në konferencën për media.


Osmani: Vendin në këtë situatë e sollën njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes një konference për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja.

Osmani tha se fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishjte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtutetën.

“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishjte në dispozicion, nuk e ndryshon Kushtutetën tonë. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar”, tha ajo.

Ajo u shpreh se vendin në këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.

“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme. Paqartësi kushtetuese, një proces i zvarritu pafund, siç e kemi parë në tërësi edhe vitin e kaluar dhe një shtet që tenton ta relativizojë edhe vet Kushtetutën e tij. Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit, qytetarit të Republikës”, tha Osmani.


Osmani nxjerr dekret për shpërndarje të Kuvendit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një konferencë për media ka bërë të ditur  se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Jam para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës. Sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Në një Republikë Kushtetuese ka diçka që është mbipartiake, është Kushtetuta e vendit”, tha Osmani.

Për dështimin e partive politike për zgjedhjen e një presidenti të ri, Osmani tha se ishte mirë i kalkuluar.

“Mbrëmë përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan, ky dështim nuk ishte as rastësorë as i pa menduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar për fat të keq”.


Osmani mban konferencë për media

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të mbajë sot një konferencë për media në Presidencën, duke filluar nga ora 08:00.

Lajmi është bërë i ditur nga këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Sipas njoftimit, konferenca për media do të zhvillohet në ambientet e Presidencës së Kosovës, ndërsa pritet që presidentja Osmani të adresojë çështje të aktualitetit para mediave.

Detaje të tjera rreth temave që do të trajtohen në konferencë nuk janë bërë ende të ditura.

Back to top button