Presidentja Osmani viziton Bullgarinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë dy ditore zyrtare në Bullgari, me ftesë të homologut të saj, Rumen Radev, nga i cili do të pritet me nderime të larta ushtarake.
Përveç takimit kokë më kokë me presidentin Radev, presidentja Osmani do ta zhvillojë edhe një takim bilateral dhe më pas do ta kenë një konferencë të përbashkët për media.
Delegacioni i kryesuar nga Osmani do të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare presidenciale të shtruar nga Radev.
Gjatë vizitës presidentja Osmani do të takohet, gjithashtu edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.
Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, presidentes Osmani do t`i dhurohet Çelësi i Sofjes.
Në agjendën e vizitës së Osmanit në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti Radev, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta të Armatosura të Bullgarisë, Valeri Tsolov.
Ndërsa në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”, presidentja Osmani do të nderohet me mirënjohje, teksa para stafit akademik, diplomatëve të akredituar dhe studentëve do ta mbajë një diskutim, në të cilin do të flasë për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.
Departamentit të gjuhëve të përgjithshme, indoevropiane e ballkanike të këtij Universiteti, presidentja Osmani do t`ia dhurojë një mirënjohje për kontributin e çmuar për studimin, zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Osmani gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet.

Back to top button