Price: Kërkuam shtyrje të afatit për targa, jo implementim në faza

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price ka thënë se ShBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Republikës së Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve më të ngusht ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për implementimin e vendimit për targat.
Price në një konferencë për media ka thënë se SHBA bashkë me partnerët tjerë e kanë bërë të qartë se kërkojnë një shtyrje të plotë.
“E kemi bërë të qartë që Kosova duhet ta shtyjë periudhën e implementimit. Jemi të dëshpëruar dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve më të ngushtë ndërkombëtarë për implementimin. Ne kemi qenë të qartë edhe publikisht edhe privatisht që SHBA bashkë me aleatët tjerë kërkojnë shtyrje të plotë të implementimit. Ne s’kërkojmë implementim të pjesëshëm apo implementim në faza. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të implementimit”, ka thënë Ned Price duke shtuar se diskutimet po vazhdojnë ende.

Të premten e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Kurti mori vendim për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.
Vendimi nis së zbatuari më 1 nëntor në tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; faza e dytë është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e treta janë targat provuese.
Zbatimi i këtij plani do të përfundojë më 21 prill, prej kur në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës./21Media

Back to top button