Prindërimi te fëmijët me vonesë të ritmit të fjalës!

Të folurit e vonuar shfaqet kur një fëmijë nuk zhvillon gjuhën dhe të folurit në normën e pritur sipas moshës së caktuar. Ajo përkufizohet si mosarritje e aftësive folëse të ngjashme me shumicën prej bashkëmoshatarëve. Nëse çrregullimi ka lidhje me ndonjë organ të trupit përkufizohet si “çrregullim gjuhësor organik”, por nëse çrregullimi nuk ka lidhje me ndonjë organ, atëherë quhet “çrregullim gjuhësor funksional”. Shkaqet mund të jenë të ndryshme si për shembull: Mungesa e dëgjimit, zhvillimi i ngadalshëm i fëmijës, vonesa mendore, faktorët gjenetik, dinamikat familjare, ambienti i varfër gjuhësor në të cilin jeton fëmija, fëmijët që lindin nën peshë, dy gjuhësia, përdorimi i tepërt I teknologjisë, mos frekuentimi i kopshtit në kohën e duhur, mungesa e nënës duke u zëvendësuar me dado jo-adekuate etj.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv logopedia Kaltrina Hashani foli rreth diagnostikimit, rehabilitimit dhe trajtimit të kësaj gjendje te fëmijët.
“Diagnostikimi, rehabilitimi dhe trajtimi në fëmijërinë e hershme është çelësi i suksesit tek secili çrregullim dhe vështirësi në të folur, e posaqërisht tek vonesat e gjuhës dhe të folurit. Koha adekuate për ndërhyrje terapeutike është 2-5 vjec. Kjo moshë është vendimtare për formimin e të folurit, sepse në këtë kohë truri dhe funksionet e tij zhvillohen intensivisht. Nëse edhe pas ndërhyrjes terapeutike logopedike e psikologjike paraqiten vështirësi të dukshme të gjuhës dhe të folurit atëherë kemi të bëjmë me çrregullime të tjera të komunikimit verbal dhe jo verbal që lidhen me dëmtime të sistemit nervorë qendror siç janë: afazia, alalia, disartia etj”,  tha Hashani.
Sipas logopedës, prindërit luajnë rol të veçantë te zbulimi i hershëm i këtij problemi, pasiqë ata janë të vetmit që përcjellin vazhdimisht gjendjen e fëmijës së tyre! A vjen deri te rezultatet negative te një fëmijë dhe i mitur me të vonuar në të folur edhe nga moskujdesi i prindërve?
“Në shumicën e rasteve prindërit janë ata që e përcjellin zhvillimin e fëmijës së tyre, dhe kanë impakt në secilën fushë. Mungesa e stimulimit nga ana e tyre e frenon strukturën adekuate gjuhësore. Sepse prindërit sidomos nëna është ajo që duhet të flas vazhdimisht me fëmijën, të merr pjesë në lojëra që ai i zhvillon, dhe të tregojë interes për botën e tij\saj. Në disa raste prindërit bazohen tek zhvillimi i fëmijëve paraprak të tyre dhe presin të bëhet vonë për trajtim, mirëpo secili fëmijë ka zhvillim unik dhe nuk duhet krahasuar. Toleranca e fëmijëve për qëndrimin e tepërt gjatë ditës përpara mjeteve elektronike si: tv, telefon, kompjuter etj, është një veti shqetësuese që afekton zhvillimin e duhur të komunikimit verbal dhe jo verbal. Edhe trajtimi logopedik do të ishte më pak efektiv pa bashkëpunimin me prind”, shtoi më tutje Hashani.
Por a ka raste të atilla kur pacienti mund të marrë trajtim medikamentoz apo kirurgjikal?
“Shumica e vështirësive të gjuhës dhe të folurit mund të përfitojnë vetëm me terapi logopedike mirëpo në rastet kur pacientët paraqiten me çrregullime organike për shembull dëmtime në dëgjim mund të bëhet implantimi koklear që e rregullon procesin e dëgjimit dhe fillon ndërhyrja dhe trajtimi logopedik për përvetësimin e gjuhës së folur. Nëse pacienti paraqitet me çrregullime organike në pjesën bukofaciale (të gojës) si për shembull Ankyloglosia apo siç njihet në gjuhën e popullit peri nën gjuhë është nevoja për ndërhyrje kirugjikale sepse afekton sidomos artikulimin adekuat të tingujve, që mund të shkaktojë çrregullimin e artikulimit apo dislalinë etj”, u përgjigj logopedia.
Mirëpo, sa të shpeshta janë rastet kur pacientët kërkojnë trajtim për problemin e tillë?
“Terapia e gjuhës dhe të folurit apo trajtimi logopedik sa vjen e bëhet esencial në zhvillimin normal të gjuhës dhe komunikimit tek të gjitha moshave e sidomos fëmijëve. Ky profesion dita ditës po dëshmon se mund të sjell ndryshim në jetën e njerëzve. Logopedët kanë mundësi të punësohen në QKUK, QKMF, në shoqata të ndryshme si shoqata e Sindromit Doën, Shoqata e Autizmit, ordinance private, dhe kohën e fundit në disa qytete ka filluar inkuadrimi i logopedit edhe në institucionet e arsimit fillor që është një arritje e madhe sepse  roli i logopedit në shkollë është substancial, për shkak se numri i fëmijëve me ngecje në të folur, vështirësi akademike në shkrim, lexim, matematikë, sindroma si dhe çrregullime të tjera vazhdimisht po shkon duke u rritur e në këto raste trajtimi logopedik mbrenda shkollës dhe bashkëpunimi me stafin e shkollës po tregon rezultate pozitive tek fëmijët. Me shpresë që në të ardhmen secila shkollë të ketë terapistin e gjuhës dhe të folurit mbrenda stafit akademik të saj. Mirëpo, nevoja për trajnime dhe zhvillim profesional është e dukshme”, shtoi më tutje ajo./21Media

Back to top button