Situata në Ukrainë, Mehaj flet me homologët nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut

Mbi situatën e përgjithshme të sigurisë të krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj dhe ai i Shqipërisë, Niko Peleshi, kanë zhvilluar një bisedë telefonike.
Mehaj ka njoftuar se bashkërisht me Peleshin, kanë vlerësuar angazhimet e deritanishme për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të planifikuara në kuadër të planit të bashkëpunimit vëllazëror bilateral.

“Ministri Peleshi, ndër të tjera, shprehu mbështetjen e plotë nga pozita e tij respektive dhe në përgjithësi të autoriteteve institucionale të Republikës së Shqipërisë, në aspiratat tona për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, krahas lobimit te vendet mosnjohëse të Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi ynë i thellë është në funksion të interesave të përbashkëta dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, thuhet më tej në njoftimin e Mehajt.
Sot gjatë ditës, Mehaj ka pasur edhe një bisedë edhe me homologen e tij nga Maqedonia e Veriut, Slavjanka Petrovska.
Ai ka njoftuar se me ministren Petrovska kanë diskutuar për aktivitetet e tyre në kuadër të bashkëpunimit bilateral, si dy vende fqinje, duke vlerësuar se ky bashkëpunim duhet të thellohet në vazhdimësi, në funksion të interesave të përbashkëta dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë./21Media
Back to top button