Prindërit kërkojnë hapjen e çerdheve, SBAShK thotë se presioni duhet t’i bëhet Qeverisë

Shumë prindër iu bashkuan protestës së thirrur nga Këshilli i Prindërve të Institucionit Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Prishtinë me një kërkesë; për ndërprerjen e grevës.
Regjisorja Blerta Zeqiri marshoi bashkë me turmën nga Qeveria e Kosovës në drejtim të zyrave të SBAShK-ut për të kërkuar hapjen e çerdheve. Tha se, se të gjithë kanë të drejtë që të kërkojnë të drejtat e tyre.
Nuk mendojmë që është në rregull të ndërpritet mësimi, andaj kemi dalë që të kërkojmë prej të gjitha palëve që kjo grevë të gjej ndoshta një formë tjetër, ose të gjendet një marrëveshje. Ne thjesht po shprehim pakënaqësinë tonë që fëmijët tanë nuk janë duke shkuar në shkollë dhe kopsht, e që mendojmë që është një çrregullim shumë i madh për fëmijët tanë. Ne duhet të diskutojmë më shumë për kualitetin në arsim të bashkëpunojmë edhe vet ne si prindër dhe me qenë kritik edhe për punën që po e bëjmë në krejt këtë proces, por jo të ndërpritet mësimi. Sepse është e drejtë e fëmijë për tu edukuar, arsimuar dhe jo të ndërpritet.”, tha ajo.
Skenaristja dhe regjisorja, Getoarbë Mulliqi tha se për shkak të grevës shumë nënave po u rrezikohet vendi i punës.
Gjatë gjithë kohës për Evën po kujdeset babi, mirëpo edhe babi do të fillojë tash me punë intensive dhe nuk e di se si do t’ia bëjë. Sepse edhe në fillim të vitit për shkak të pandemisë kur kopshti është mbyllur dy herë mua më është dashur të qëndrojë në shkollë me Evën, gjë që rrezikon edhe vendin e punës dhe performancën. Është e dhimbshme se si është viti i tretë për fëmijët, sepse Eva tash është në parashkollor, që për Evën nuk ka 1 shtator. Nuk e di ndjenjën e 1 shtatorit dhe të kthimit në çerdhe. Unë e kuptoj qëllimin e një greve, mirëpo është mirë të kemi konsideratë për fëmijët në këtë rast”, tha ajo.
Ndërkohë në emër të prindërve, aktorja Vlora Nikçi kërkoi që të hapen dyert e çerdhes, meqë ka prindër të interesuar vet për të mbajtur mësim.
“Çerdhet më pak janë diskutuar, më shumë janë diskutuar shkollat. Por, neve çka po na mundon më së shumti është se janë bërë shumë ditë që nuk janë hapur çerdhet dhe fëmijët po fillojnë të humbin interesimin për të shkuar në çerdhe. E kuptojmë grevën, e respektojmë atë por nëse ka mundësi disi, meqë tani po i kuptojmë edhe kërkesat e tyre të na hapen çerdhet, së paku ndërtesat që të futen fëmijët tanë. Gjë që ka edhe plot prindër që janë interesuar të mbajnë mësim për ta. Por më e mira e së mirës do të ishte që mësuesit të kthehen dhe të mbajnë mësim për fëmijët tanë.”, tha ajo.
Pas përfundimit të protestës, Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka deklaruar se kërkesat e prindërve janë të drejta, por përgjegjës është Qeveria.
“Mendoj se prindërit presionin duhet ta bëjnë te institucionet, sepse ata janë përgjegjës për të vazhduar procesin mësimor. Ne i mbrojmë interesat e të punësuarve, në këtë rast janë shkelur të drejtat e punëtorëve dhe nuk po plotësohen kërkesat e tyre për shkak të inflacionit të madh dhe nuk po plotësohen kërkesat, për këtë arsyeje greva vazhdon…Nuk kemi pasur asnjë ftesë prej prindërve për t’i takuar për shkak se ne me prindër takohemi gjithandej Kosovës dhe jemi shumë të hapur për biseda me ta, por çelësi nuk është tek ne.”, tha ai.
Që nga 25 gushti, punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, e edukatorët janë në grevë të përgjithshme. Kërkesa kryesore e sindikalistëve është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga./21Media 

 

Back to top button