Prindërit solidariozhen me mësuesit: Pa pagat e mësimdhënësve s’ka kuptim as kalendari i ri shkollor

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar sërish për mos ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve.
Prindërit përmes një postimi në Facebook shprehin solidarizimin me mësimdhënësit për pagat, duke e cilësuar vendimin e Qeverisë sit ë padrejtë dhe të dëmshëm.
“Pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.
Po ashtu prindërit thonë se pasojat mospagesës së mësimdhënësve do të reflektohen në fund tek pamundësimi i krijimit të kushteve normale për mësimdhënie, denigrimit të rëndë institucional shtetëror ndaj (vetëm) një kategorie të punësuarish, humbjes së besimit dhe shpresës për shtet të së drejtës por edhe shtyrjen e diskutimit për temën e cilësisë në arsim.
“Ndërsa greva ishte akt krejt i paarsyeshëm i SBASHK (dhe në momentin më të keq të mundshëm), mospagesa e mësimdhënësve (së paku jo në afatin ligjor dhe më dëmet juridike të shumëfishta tashmë të realizuara) është përgjigjja institucionale më e padëshiruar edhe nga prindërit. “, thuhet në reagim.
Prindërit janë shprehur të pashpresë për përmisimin e sistemit arsimor publik në Kosovë dhe thonë se presin normalitet, zhvillim, siguri, llogaridhënie e cilësi në arsim.
“Asnjëra nga këto vazhdon të mos duket askund në horizont. “, thuhet në reagim.
Mësimdhënësit hynë në grevë më 25 gusht të këtij viti, ata kërkuan që t’i marrin 100 euro shtesë në pagë deri në miratimin e Ligjit për Paga. Qeveria ofroi pako mbështetëse përmes së cilës të gjithë punëtorët e sektori publik do të merrnin 50 euro shtesë në pagë, mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë vazhduan sërish grevën deri më 3 tetor kur vendosën ta pezullojnë deri në janar të vitit 2023.
Por, Qeveria nuk ekzekutoi pagën e shtatorit për mësimdhënësit me arsyetimin se nuk punuan , pagat u ekzekutuan për shërbyesit civilë ani pse edhe ata ishin në grevë. Një gjë e tillë nuk u prit mirë nga SBASHK, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari paralajmëroi se mund të hynë sërish në grevë nëse nuk ekzekutohen pagat./21Media

Back to top button