Prishtina renditet si komuna më transparente
Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale për vitin 2021.
Indeksi i transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit komunën e Prishtinës si qytetin më transparent me 82.02 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga komunat e Rahovecit (80.97 pikë), Gjakovës (80.27 pikë), Mitrovica e Jugut (79.52 pikë), Lipjan (78.72 pikë), Ferizaj (78.08 pikë), Kaçanik (76.22 pikë), Pejë (75.87 pikë), Drenas (72.10 pikë) dhe Podujeva (72.04 pikë).
Gjithashtu, me këtë rast, KDI lansoi edhe platformën digjitale www.transparenca-komunale.org ku publiku dhe institucionet mund të shohin në detaje performancën komunale për secilin indikator.
Menaxherja e projektit në KDI, Diana Metushi-Krasniqi gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se përkundër rritjes prej 112% të indikatorëve matës, komunat e Kosovës kanë arritur një transparencë të përgjithshme prej 56% në politikat e përzgjedhura”.
Edhe pse viti 2021 ishte një vit i zgjedhjeve lokale, për dallim nga viti 2017 kur për shkak të zgjedhjeve ishte neglizhuar transparenca komunale, Indeksi tregon se në vitin 2021 kishte një rritje të transparencës duke krahasuar indikatorët e njëjtë me ata të vitit paraprak. Viti 2021 ka shfaqur një trend pozitiv të transparencës në prokurimin publik në nivel komunal. Kjo paraqet një rritje prej rreth 13% krahasuar me shtatë indikatorët e njëjtë të shtyllës – nga një mesatare prej 57% në 2020, në 70% në 2021. Një rritje prej 9% është shënuar edhe në transparencën buxhetore në të shtatë indikatorët e njëjtë nga 64% në 2020 në 73% në 2021.”, tha ajo.
Michal Pisko nga Transparency International – Slovakia theksoi që “TI – Sllovakia ka qenë aktive në nivel komunal për më shumë se 20 vjet, duke përfshirë renditjen e transparencës të 100 qyteteve më të mëdha dhe tetë rajoneve sllovake që nga viti 2010.
“Në Sllovaki, matja e transparencës në nivel lokal ka rezultuar një përmirësim të ndjeshëm në mbikëqyrjen publike. Ky ndikim pozitiv çoi në prezantimin e projektit në vende të tjera, si Ukraina dhe Moldavia, ku gjithashtu projekti u tregua efektiv. “Sigurisht, metodologjia e përbashkët do të kontribuojë në hapjen dhe angazhimin publik edhe në komunat e Kosovës,” tha në fund Michal Pisko, drejtor i TI – Slovakia.
Indeksi historik në këto matje ishte pasuruar me 46 indikatorë të rinj dhe dy politika publike, duke rritur kështu numrin e treguesve nga 41 në 87 sosh, të ndarë në tetë shtylla të qeverisjes si 1) transparenca e komunave në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4) përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike, 6) përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7) menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) ndërmarrjet dhe organizatat publike në pronësi të komunave.
Ky indeks u lansua nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me mbështetjen financiare të SlovakAid – Asistenca Zyrtare për Zhvillimin e Republikës Sllovake dhe në bashkëpunim me Transparency International Slovakia./21Media