​Profesori amerikan: Asociacioni mund të jetë kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edward Joseph, thotë se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese mund jetë një kusht nga shtetet e QUINT-it, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai thekson se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është një hap i madh që mbi të gjitha do t’i tregonte presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se strategjia e tij për të izoluar Kosovën nuk po funksionon.

Analisti amerikan i politikës së jashtme,  thotë se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, derisa e kualifikon të aryeshme kërkesën e kryeministrit Kurti për nënshkrim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Sipas tij, themelimi i Asociacionit mund të jetë hapur i duhur, por nëse bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe jo një “Republika Srbska” e dytë. Megjithatë, thekson se serbëve në Kosovë mund t’iu jepet një formë më e kufizuar e autonomisë me qëllim që të heqin dorë nga ndarja e Kosovës dhe Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Ai për KosovaPress, flet edhe për zëvendësuesin e ndërmjetësit evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe raportet e Kurtit me Administratën Biden dhe çështjen e dinarit.

“Mendoj se ky është potencialisht një hap i madh për Kosovën, për qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh se cilit grupi etnik i përkasin, kjo është jashtëzakonisht pozitive, është shumë pozitive politikisht, sepse kjo do t’i tregonte presidentit Vuçiq se strategjia e tij, strategjia e gjitha e rëndësishme, prioriteti numër një i Serbisë për të izoluar dhe dobësuar Kosovën nuk funksionon, kështu që unë shpresoj që vendet e Këshillit të Evropës, anëtarët, do të votojnë pozitivisht për Kosovën, pranimin e Kosovës, dhe mendoj se është shumë e rëndësishme dhe pozitive që qeveria nën kryeministrin Kurti e zbatoi vendimin e Deçanit (për manastirin e Deçanit)… Në të njëjtën kohë kemi këtë votë vendimtare për Këshillin e Evropës dhe mund të ketë një kusht për paraqitjen e statutit që është propozuar nga BE, fillimisht nga pesë vendet e QUINT, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për ta çuar atë përpara. Pra, dhe kjo është gjithashtu e arsyeshme, të kërkohet për shembull të dorëzohet statuti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka anuluar marrëveshjen e Brukselit, andaj është e rëndësishme që në rrethanat aktuale të kemi garanci më të forta për validitetin e saj përmes nënshkrimit.

“E ardhmja e dialogut, shiko e tashmja nuk është shume inkurajuese, kështu që e ardhmja është edhe më e pasigurt se e tashmja, qartë se ka ngecur, dialogu ka ngecur, kemi një problem. Mendoj një qëndrim i arsyeshëm i kryeministrit Kurti të kërkojë nënshkrime, duke qenë se presidenti Vuçiq e ka anuluar hapur marrëveshjen. Pra, mendoj se është e arsyeshme të kërkojmë nënshkrime”, shton ai.

Sidoqoftë, profesori amerikan thotë se nëse Asociaciont bëhen siç duhet, mund të jetë një hap i mirë drejt zgjidhjes së ngërçit në dialog.

“Asociacioni mund të jetë një hap drejt kësaj nëse bëhet siç duhet, sigurisht jo si ‘Republika Srbska’, por duhet pasur kujdes, dhe problemi, siç thashë këtu, është se Serbia nuk e njeh Kosovën. Pra, kjo është arsyeja pse është më e ndërlikuar. Zakonisht një grup merr autonomi, kur heq dorë nga çdo synim, aspiratë, për t’u ndarë, atëherë ju fitoni autonominë. Kur thua se jetoj në Kosovë, jam qytetar i Kosovës, atëherë merr autonominë. Por të bëhesh siç e shohim me Dodikun, kur ata kanë këtë super status në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kjo thjesht inkurajon këtë shkëputje. Pra, të drejtat, dhe të drejtat e veçanta si Ahtisari dhe ndonjë formë e kufizuar, formë e kufizuar e autonomisë kjo mund të jetë një gjë e mirë. Serbët e Kosovës janë në një pozitë të vogël në vend, janë të cenueshëm, kështu që mund të jetë një gjë e mirë, por e strukturuar me kujdes dhe me heqjen dorë nga çdo aspiratë për të ndarë, dhe që Beogradi ta njohë (Kosovën)”, deklaron ai.

Duke folur për rolin e Miroslav Lajçak në dialog, Joseph thotë se ka punuar shumë dhe se e njeh mjaft mirë Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, emisari i ardhshëm duhet të jetë nga një vend që e njeh Kosovën, derisa shpreh rezervat e tij për ish presidetin slloven, Borut Bahor, i cili po përmendet si zëvendësues i mundshëm i Lajçak.

“Unë e njoh Miroslav Lajçakun, e njoh prej shumë vitesh, ai e njeh jashtëzakonisht mirë Ballkanin dhe mendoj se punon shumë. E di që ka shumë kritika, por shikoni, ndërmjetësimi gjatë krizave si në targa mendoj se ka qenë efektiv. Dhe unë mendoj se funksionoi, ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, dhe përsëri, e di që ka shumë kritika. Kritika ime është se dy diplomatë kryesorë të BE-së, të dy nga vendet që nuk e njohin (Kosovën), Borrell nga Spanja dhe Lajcak nga Sllovakia, dhe kjo nuk duhet të përsëritet…Presidenti Pahor ai ka një përvojë, shqetësimi nuk mund të them se qëndron personalisht, por ne kishim shqetësimin për të ashtuquajturin ‘non paper slloven’, që po ndante rajonin. Nuk ishte vetëm ndarja e Kosovës, po ndahej i gjithë rajoni, dhe unë mendoj se kjo është fatkeqësia, kjo është qasja e Putinit, të gjitha këto ide”, thekson ai.

Sa i përket raporteve të kryeministrit Albin Kurti me amerikanët, ai thotë se nuk janë të mira dhe se kjo është për të ardhur keq, pasi Kosova ka nevojën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, dallimet kanë dal në pah më shumë në vendimin për dinarin, i cili është dashur të koordinohet ngushtë me aleatët.

“Epo, shiko, nuk është mirë. Marrëdhëniet nuk kanë qenë të mira dhe kjo është për të ardhur keq, sepse Kosova ka nevojë për Shtetet e Bashkuara, ky është një fakt. Ky është thjesht një fakt. Dhe Shtetet e Bashkuara janë miku më i mirë i Kosovës, dhe mendoj se të gjithë shikuesit tuaj duhet ta kuptojnë këtë. Gjithmonë ka qenë dhe unë e di në mesin e shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm një mik, miku më i mirë i Kosovës, Shtetet e Bashkuara janë miku më i mirë i shqiptarëve dhe njerëzit e dinë qysh nga Ëoodroë Ëilson, dhe kështu mbetet. Dhe kështu nuk është mirë të kesh marrëdhënie të këqija. Ky vendimi i Bankës Qendrore, dinar-euro, kjo duhet të bëhet dhe është dashur të bëhet me konsultim të ngushtë. E mbyll me këtë, kjo është ajo që është e rëndësishme. Kosova meriton kontroll mbi të gjithë territorin e saj, por nuk ka të bëjë vetëm me territorin, bëhet fjalë për njerëzit që jetojnë në këtë territor. Pra këta qytetarë serbë të Kosovës janë qytetarë të Kosovës. Ata duhet ta shohin Prishtinën si kryeqytetin dhe vendin e tyre, dhe Prishtina duhet t’i shohë ata si qytetarë, si qytetarë të plotë, dhe kjo është mbi këtë bazë. Dhe çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë kur merr një vendim, qoftë edhe për arsye të mira, dhe ka arsye të mira për transparencën e transfertave të parave, dhe këto janë arsye legjitime, kur e bën, duhet të konsultohesh me popullatën”, përfundon Joseph./kp

Back to top button