Programi nesër para deputetëve
Zaev ka folur për prioritetet e tij!
Formimi i ekipit që do ti përkushtohet reformave dhe heqja e testimit ekstern, janë dy punët, të cilave do ti rreket Zoran Zaev si kryeministër i Qeverisë së re reformatore, e cila deri të mërkurën pritet të marrë dritë jeshile në Kuvend. Zaev flet për prioritetet që tanimë i ka gati përmes ligjeve.
“Kemi përgatitur 30 ligje, që janë gati për tu përfshirë në debat, ku do të deklarohen, edhe njerëz më kompetentë nga ne politikanët. Ata do të thonë qëndrimet e tyre dhe menjëherë do ti dorëzojmë në Kuvend. Gjithsesi se ato janë ligje që nuk kanë implikime buxhetore, por menjëherë do të përmirësojnë ambientin e përgjithshëm jetësor në Maqedoni”, tha Zoran Zaev, Kandidat për Kryeministër të Maqedonisë, shkruan TV21.TV
Rekomandimet e Raportit të Pribesë dhe të Bashkimit Evropian janë disa nga pikat e programit qeveritar, që të përshpejtohet procesi i integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Diplomati Nikolla Dimitrov, i propozuar për Ministër të punëve të jashtme, para disa ditësh për TV21 tha se nëse vendi do të kthehet në trajektoren Evropiane, atëherë tek bashkësia ndërkombëtare do të krijohet vullnet i mirë, që do të duhet të shfrytëzohet .
“Po hapet rruga, por edhe më tutje është përpjetë, dhe do të duhet të shtyjmë të gjithë së bashku që të mund të ngjitemi në maje të kodrës ose të malit. Por mendoj se kemi struktura në Maqedoni, të cilat edhe më tutje po shtyjnë në drejtim të kundërt”, tha Nikolla Dimitrov, I propozuar për Ministër të Punëve të Jashtme.
Optimist se do të ndodhë kthesë në planin e jashtëm të eurointegrimeve është edhe Bujar Osmani nga BDI, i propozuar për zëvendës ministër për eurointegrime.
Ndër prioritetet në programin qeveritar janë pjesë edhe nga programet e partive shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptare. Në pjesën e programit nënvizohet rregullimi i gjuhë shqipe, me ç ‘rast propozohet zgjidhje ligjore për zgjerimin e përdorimit të gjuhës zyrtare, që e flasin së paku 20% të qytetarëve, gjegjësisht gjuhës shqipe. Në kuadër të kësaj zgjidhje, Qeveria do të formojë qendër gjuhësore dhe inspektorat të posaçëm./21Media