​Projektet aktuale të Qeverisë, Kurti takon Charlotte Ruhe nga BERZH-i

Kryeministri Albin​ Kurti ka takuar sot drejtoreshën e Përgjithshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Qendrore dhe Juglindore Charlotte Ruhe, me të cilën ka diskutuar mbi projektet aktuale që Qeveria e Kosovës është duke i zbatuar në bashkëpunim me BERZH-in.

Bëhet fjalë për projektet për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Ferizajt, si dhe projektin për ndërtimin e ngrohtores diellore.

Gjatë takimit u diskutuan disa nga projektet prioritare për 2024, përfshirë ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, Gjilan dhe Mitrovicë, ndërtimin e rrugëve rajonale, projektin e sinjalizimit dhe telekomunikimit për Linjën 10 hekurudhore, si dhe projekte të tjera që fokusohen në sektorin e energjisë dhe atë të ujërave.

Kryeministri Kurti falënderoi BERZH-in për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve, sidomos në avancimin e kapaciteteve për shfrytëzim të energjisë së ripërtërirë.

Ndërsa, drejtoresha Ruhe ka ritheksuar vazhdimin e mbështetjes së BERZH-it për jetësimin e projekteve të shumta infrastrukturore, telekomunikimit, energjisë dhe mobilitetit urban.

Back to top button