Projekti për mbikëqyrje elektronike, Kurti: Dhuna ndaj grave do të luftohet si asnjëherë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçlen dhe ministren e Drejtësisë, ka marrë pjesë në lansimin e projektit për mbikëqyrjen elektronike.

Para mediave, Kurti tha se gjurmuesit do të ndihmojnë që si asnjëherë më parë viktimat ta luftojnë suksesshëm dhunën në familje.

Ai u shpreh se në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi do të lajmërohen të dy nivelet, lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj vijon procedura standarde për ndërhyrje.

“Ndoqëm demonstrimin që na u prezantua se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik. Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje. Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë.

Sipas saj, dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria, po i inkurajon dhunuesit dhe po shndërronë në vrasës.

Back to top button