Projektligji për mbrojtje i Senatit siguron mbështetje ushtarake të ShBA-së për Kosovën

Projektligji vjetor për mbrojtje i Senatit do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake amerikane gjatë kohës kur tensionet janë të rritura në Ballkan.

Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë diskutimet këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, listë kjo e vendeve, e cila përfshin edhe rivalin e Kosovës, Serbinë.

Si një anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Serbia organizon rregullisht stërvitjet ushtarake “Platinum Wolf” me SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO dhe synon ta bëjë këtë përsëri këtë vit.

“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride.”, bëhet e ditur në një raport të komisionit që shoqëronte projektligjin.

Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, potencohet në raport.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i sigurisë, Agim Musliu u shpreh se do të jetë një mundësi e madhe për Kosovën, si aleate më e fortë e SHBA-së në Evropë!

“Kosova do të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s.”, shkroi ai në Twitter.

This will be great possibility for 🇽🇰, as strongest 🇺🇸 ally in Europe 🙏! Kosovo to engage in U.S.-led military exercises to increase interoperability with @NATO forces. https://t.co/zjQdKLW2AN

— Agim Musliu (@agim_musliu) July 19, 2023

Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura e avancoi projektligjin 24-1 në qershor.

Përpjekjet për të thelluar lidhjet ushtarake SHBA-Kosovë vijnë pasi administrata e Biden dhe ligjvënës të shumtë kërkojnë të zbutin marrëdhëniet e përkeqësuara të Prishtinës me Serbinë në mes të tensioneve në rritje midis komuniteteve shqiptare dhe serbe brenda Kosovës.

Komisioni për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për këtë çështje më 18 korrik, megjithëse ligjvënësit kishin qëndrime të ndryshme se sa shumë presion të ushtrohet ndaj Kosovës, në krahasim me Serbinë, në konflikt.

“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në zbatimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe siç u zotua të bënte 10 vjet më parë”, tha në seancën dëgjimore kryetari i nënkomisionit për Evropë, Thomas Kean.

“Megjithatë, SHBA-të duhet të sigurojnë se [asociacioni] mbron të drejtat e serbëve të Kosovës pa e dëmtuar autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj sovran.”

Dhuna ka shpërthyer në komunat me shumicë serbe të Kosovës veriore pasi Prishtina ka vendosur kryetarë komunash shqiptarë, të cilët kishin fituar zgjedhjet pas bojkotit serb. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte kritikuar ashpër zgjedhjet dhe kishte mbështetur bojkotin.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës që të mbajë zgjedhje të reja në komuna dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet Euroaziatike, Gabriel Escobar ka thënë në qershor se dështimi për ta bërë këtë mund të ndikojë në aspiratat e Prishtinës për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

“Kërkesa jonë e vetme ishte që Kosova të mos përpiqet të vendosë kryetarët e komunave me dhunë aty ku po ndodhnin protesta”, ka thënë të martën Escobar para Komisionit të Punëve të Jashtme. “Ndërkohë, ne kemi qenë shumë të ashpër me Serbinë”.

Escobar ka vënë në dukje se SHBA-ja ka “marrë premtime” nga Serbia për të mos kundërshtuar zgjedhjet e reja “dhe ka pasoja për Serbinë nëse ata e kundërshtojnë këtë”.

Back to top button