Prokurori i Shtetit do t’i hetojë bizneset për ngritjen e çmimeve

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Inspektoratin e Tregut, do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
Sot gjatë ditës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ftoi Prokurorin e Shtetit që të ndërmarrë veprime të menjëhershme siç tha ajo kundër, abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm dhe po dëmtojnë qytetarët e Kosovës./21Media
Back to top button