Prokurori pretendon se Shala ishte pjesë e grupit që kryen krime në fabrikën e metalit në Kukës

(Lajm i përditësuar)
Prokurori pretendon se Shala ishte pjesë e grupit që kryen krime në fabrikën e metalit në Kukës
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka thënë se gjatë gjykimit ndaj Pjetër Shalës do të paraqesin dëshmi të cilat sipas tij do të tregojnë se i akuzuari ka kryer krimin e luftës së ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme, për çka prokuroria pretendon të ketë ndodhur në pranverën e vitit 1999 në ish-fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. Ai ka thënë se dëshmitë do të tregojnë që Shala ka qenë pjesë e një grupi të vogël ushtarësh të UÇK-së bashkë me Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqin të cilët, sipas tij, i kanë kryer këto krime.
Gjatë deklaratës hyrëse të prokurorisë, Whiting ka thënë se çështja gjyqësore që fillon sot kundër të akuzuarit Pjetër Shala është shumë e thjeshtë por sipas tij ka ndryshuar në mënyrë tragjike jetën e shumë njerëzve dhe i ka dhënë fund jetës së një personi.
“Po këto dëshmi do të tregojnë se z. Shala ishte pesë e një grupi të vogël ushtarësh të UÇK-së të cilët i kanë kryer këto krime, ky grup përfshinte Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqin, të dy të shpallur fajtorë në dy gjyqe në Kosovë për krimin e ndalimit arbitrar dhe të keqtrajtimit të zhvilluar në fabrikën e metalit në Kukës. Akuza e kësaj çështje gjyqësore pretendon që ky grup kriminal që përfshinte të akuzuarin ka ndaluar dhe keqtrajtuar në mënyrë arbitrare të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit që ndodhej brenda territorit të ish fabrikës së metalit në Kukës. Ky grup kriminal përfshirë të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave natën mes 4 apo 5 qershorit 1999 apo përafërsisht në atë kohë. Viktimat e kësaj çështje janë shënjestruar për shkak të afërsisë së perceptuar që kishin me serbët trajtuar spiunë dhe bashkëpunëtorë të cilët e kanë merituar dënimin dhe poshtërimin”, ka deklaruar prokurori.
Prokuroria pretendon se personat janë ndaluar dhe gjatë kohës së ndalimit u janë nënshtruar abuzimit, torturës dhe në një rast vrasjes.
“I akuzuari Pjetër Shala ka marrë pjesë në të gjitha aspektet e krimeve të pretenduara të kësaj çështje gjyqësore. Ai ishte i pranishëm në fabrikën e metalit në Kukës në kohët e rëndësishme gjatë periudhës që përfshin aktakuza. Ai ka marrë pjesë në të paktën arrestimin e një personi dhe transferimin e një të burgosuri në këtë pikë të ndalimit. Ai ka kontribuar në mbajtjen e kushteve çnjerëzore të ndalimit në këtë pikë të ndalimit ku përfusheshin dhoma të tej-mbushura dhe të pista dhe ushqim i pamjaftueshëm. Ai ka marrë pjesë në rrahjen e vazhdueshme të ashpër të të burgosurve në këtë pikë të ndalimit që përfshinin rrahjen me shufra hekuri dhe me objekte të mprehta, si rezultat i këtyre rrahjeve viktimat janë mbuluar me gjak, kanë pësuar nga thyerja e eshtrave dhe nuk kanë qenë në gjendje të ecin në këmbët e tyre. I akuzuari po kështu ka qenë pjesë e një grupi që ka vrarë njërin prej të ndaluarve duke e rrahur atë nw mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër dhe duke e gjuajtur me armë në këmbë, duke bërë që ai të kishte hemorragji që ka shkaktuar vdekjen e tij gjatë një periudhe që ka zgjatur disa orë”, tha ai.
Zyra e Prokurorit të Specializuar edhe njëherë ka përsëritur që sipas tyre në Kosovë vazhdon klima e frikësimit të dëshmitarëve.
“Gjykatësit e kësaj gjykate, në mënyrë të vazhdueshme përmes aktgjykimeve, vendimeve dhe urdhrave të tyre kanë konstatuar që vazhdon të ekzistojë klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, është reale, serioze e gjithanshme dhe në vazhdim e sipër. Zyra jonë dhe ky institucion herë pas here kanë ndërmarrë veprime për t’u kundërvënë kësaj klime, duke mbrojtur dëshmitarët dhe duke marrë masa kundër çdo kujt që ka kërkuar të minojë në mënyrë të paligjshme këtë institucion apo të frikësojë dëshmitarët. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Ne do të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet në dispozicion për të bërë të mundur që dëshmitarët të mund të vinë në këtë sallë gjyqi për të dhënë dëshminë e tyre në mënyrë të sigurt”, ka thënë ai.
Sipas tij, shumë nga viktimat e pretenduara në këtë çështje gjyqësore janë shqiptarë të Kosovës.
“Kundërshtarët e kësaj gjykate në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar të pretendojnë se ajo është kundër Kosovës dhe kundër UÇK-së, por asgjë nga kjo nuk është e vërtetë. Kjo është një gjykatë e Kosovës, e krijuar nga Kuvendi i Kosovës me mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, gjykatë e cila është brenda sistemit ligjor të Kosovës. Çështjet gjyqësore para kësaj gjykate nuk janë kundër Kosovës dhe kundër UÇK-së, ato janë çështje kundër individëve të cilët pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës. Për më tepër, në të gjitha çështjet gjyqësore para kësaj gjykate, përfshirë këtë aktualen, shumica e viktimave janë shqiptarë të Kosovës dhe në disa raste të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, dëshmitë që do të paraqitën gjatë gjykimit ndaj Pjetër Shalës do të vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari mban përgjegjësi penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.
Tutje, në këtë seancë prokuroria ka paraqitur fotografi të ndërtesës ku pretendon se u rrahën viktimat dhe u vra njëri prej tyre.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./G.Kadrija
Pjetër Shala deklarohet i pafajshëm
Ka filluar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.
Shalës i është lexuar aktakuza, ku ndër të tjera, është thënë se ai ngarkohet edhe si kryes fizik lidhur me krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës.
“I akuzuari Pjetër Shala akuzohet me katër akuza për krime lufte, pika 1; ndalim arbitrar si krim lufte i kryer në fabrikë ne metalit në Kukës përafërsisht mes 17 majit dhe 5 qershorit 1999, i ndëshkueshëm sipas nenit 14, 1 (c), Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pika 2; trajtim mizor, po ashtu krim lufte i kryer në fabrikën e metalit në Kukës përafërsisht mes 17 majit dhe 5 qershorit 1999 i ndëshkueshëm sipas nenit 14 1 (c) i, të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pika 3; torturë, po ashtu krim lufte, i kryer në fabrikën e metalti në Kukës përafërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, i ndëshkueshëm sipas nenit 14 1 (c) i, të Ligjit. Pika 4; vrasje e paligjshme si krim lufte kryer më 5 qershor 1999 ose rreth asaj date në fabrikën e metalit në Kukës i ndëshkueshëm sipas nenit 14 1 (c) 1 të aktakuzës”, ka thënë prokuroi Filipe Deminiqes derisa ka lexuar aktakuzën.
Ai ka shtuar se Shala akuzohet si “anëtar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“I akuzuarit ngarkohet me këto vepra penale, në zbatim të nenit 16 1 a të ligjit për tre forma të përgjegjësisë penale. Së pari akuzohet si anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët me qëllim të përbashkët kryerjen e krimeve si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Dhe akuzohet në pikat 1 deri në 4 të aktakuzës. I akuzuari ngarkohet se kishte synimin e mjaftueshëm për secilën nga këto krime. I akuzuari ngarkohet si kryes fizik lidhur me krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës, të paraqitura në pikat 1 deri në 3 të aktakuzës. Së fundmi, i akuzuari ngarkohet si ndihmues dhe inkurajues për të gjitha krimet e paraqitura në pikën një deri në 4 të aktakuzës”, ka shtuar prokuroi.
Krejt këto, ish pjesëtari i UÇK-së i ka quajtur trillime.
Shala: Akuzat janë shpifje dhe trillime
“E kuptoj por nuk pranoj asgjë se këto janë të gjitha shpifje dhe trillime”, ka thënë ai.
Shala, edhe njëherë është deklaruar i pafajshëm.
Shala: Jam i pafajshëm
“Jam i pafajshëm”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka bërë të ditur se Shala do të ketë mundësi të bëjë një deklaratë jo nën betim, pasi përfundimit të deklaratës hyrëse të mbrojtësit të tij.
08: 13- Sot fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot (e martë) fillon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ndaj të cilit rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte.
Seanca është paralajmëruar se do të fillojë në ora 9:30, por do të transmetohet me 45 minuta vonesë (ora 10:15)
Në paraqitjen e tij të parë, Shala ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa nesër i njëjti do të ketë mundësi të ri-konfirmojë këtë.
Me fillimin e gjykimin, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësi i viktimave si dhe mbrojtja e Shalës do të kenë nga dy orë për të bërë deklaratat hyrëse.
Ndërsa pas fjalës hyrëse të avokatit të tij, Shala pritet të bëjë një deklaratë pa betim.
Trupi gjykues në këtë çështje ka bërë të ditur se paraqitja e provave, përfshirë thirrjen e dëshmitarëve, do të fillojë më 27 mars të këtij viti.
“Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, z. Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash. Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur. Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?