Prokuroria dorëzon aktakuzë në mungesë për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë më 1999

(Lajm i përditësuar)
Prokuroria dorëzon aktakuzë në mungesë për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë më 1999
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.
Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.
“Aktakuza është ngritur për krime lufte kundër popullsisë civile, e cila lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar – qershor 1999 gjatë luftës në Kosovë”, tha Dema.
Dema tha se që të gjithë 21 të dyshuarit kanë pasur kontroll të plotë mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe dhe se nuk i kanë parandaluar pjesëtarët e tyre nga kryerja e krimeve të luftës kundër popullsisë në Kosovë.
Ai tha se nuk mund t’i bëjë të ditur emrat e të dyshuarve në këtë kohë.
Veprimet për të cilat ata akuzohen përfshijnë shkatërrimin e pronës civile, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike, të cilat kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.
“Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863.000 civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare”, tha Dema.
Prokuroria Speciale dorëzon aktakuzë për dëbimin e popullsisë civile nga Kosova gjatë luftës së fundit
Prokuroria Speciale do të dorëzoj sot aktakuzë për dëbimin e popullsisë civile nga territori i Republikës së Kosovës, gjatë luftës së fundit.
Në lidhje me këtë, nga Prokuroria Speciale do të japin detaje përmes një konference për media.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në një konferencë për media, e cila do të mbahet me qëllim njoftimin publik mbi dorëzimin e aktakuzës për dëbimin e popullsisë civile nga territori i Republikës së Kosovës, gjatë periudhës së luftës së fundit. Konferenca do të mbahet më 15.08.23, në ora 11:00. Vendi: Objekti i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Salla e Konferencave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?