Prokuroria e Specializuar në Hagë do ta shqyrtojë kërkesën e Dugollit për hetimin e krimeve serbe

Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetvendosje dhe zëvendës kryetar i Komisionit për Siguri, ka pranuar letër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), lidhur me shkresën që i kishte nisur këtij institucione, për të kryer hetime mbi masakrën e Dubravës.

Dugolli këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar letrën e ZPS-së, derisa tha se kërkesa e tij do të shqyrtohet. Deputeti i partisë në pushtet tha se shpreson që autoritetet e larta serbe të dënohen për krimet e kryera, derisa kërkoi që Dhomat e Specializuara të sqarohen nëse janë njëetnike.

“Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”, ka shkruar Dugolli në Facebook./21Media

Back to top button