Prokuroria ende po mbledh dëshmi për tragjedinë në Tetovë

Prokuroria Themelore e Republikës ende punon në lëndën e hapur për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku kanë vdekur 14 persona. Nga atje thanë se hetimi ende është në drejtim të grumbullimit të dëshmive materiale dhe verbale për vërtetimin e përgjegjësi penale.
“Pritet që në prokurori të mbërrijnë raportet nga ekspertizat e urdhëruara, në mesin e të cilave edhe ekspertiza nga ekspertët e Republikës së Gjermanisë. Pasi të grumbullohen dëshmitë materiale dhe verbale, prokurorët do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë, do të vërtetohet nëse dhe ku ekziston përgjegjësia penale, pas çka do të merret edhe vendim për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, u bë e ditur në përgjigjen e Prokurorisë me kërkesë të gazetarëve nga Tetova.
E sot, Hamdi Sulejmani nga iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” tha se edhe pas dy muajve nuk ka asnjë përgjegjësi për 14 jetët e humbura.
“Ajo që dëgjuam këto ditë ishte se politikanët janë në gjendje të japin dorëheqje kur humbin zgjedhjet, por jo edhe kur humbin jetën 14 njerëz. Tetova dhe opinioni kërkon të dijë deri ku janë hetimet? Përse Prokuroria lëshoi një pjesë të raportit të krim-teknikës pa treguar edhe raportin e ekspertëve gjermanë? A ishte lëshuar ky raport për të shfajësuar përgjegjësit në periudhën parazgjedhore me kërkesë nga Qeveria? Nuk ka ndonjë detaj në lidhje me hetimin e Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në lidhje me tenderin dhe spitalet modulare dhe nëse ata i plotësonin standardet themelore të sigurisë, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së tyre”, tha Sulejmani, shkruan TV21./21Media

Back to top button