Prokuroria jep detaje për personin që keqpërdori kartelat bankare të klientëve
Prokuroria Themelore ka njoftuar se pas pranimit të informacionit me dyshimin se është kryer vepra penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, është iniciuar rastinnë drejtim të veprës penale të lartcekur, ku pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave, fillimisht policia ka arrestuar të dyshuarin A.S., në vendin e tij të punës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Për shkak të veprës penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, pasi i njëjti dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe me këtë rast dyshohet se ka përfituar mjete-para në vlerë prej mbi 5,000.00 €”, bëhet e ditur në njoftim.
Në këtë çështje penale, me urdhër të prokurorit është sekuestruar një pajisje elektronike (telefon) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ndaj të dyshuarit do të vazhdohet me veprimet procedurale./21Media