Prokuroria kërkon 35 vjet burg për Salih Mustafën

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Salih Mustafës t’i shqiptohet një dënim unik prej 35 vjet burgim.
Në deklaratën përmbyllëse, prokuroria ka thënë se Mustafa mban përgjegjësi penale për vrasjen e një viktime sipas tyre në një kompleks ndalimi në fshatin Zllash. Mbi ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rëndojnë edhe akuza për ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë.
Nga ZPS kanë thënë se dënimi për Salih Mustafën duhet të jetë i rreptë në mënyrë që sipas tyre të pasqyrohet rol specifik që kishte ai.
“ZPS kërkon nga trupi gjykues të vendosë cenimet e mëposhtme ndaj të akuzuarit: pika e parë ndalimi arbitrar me 10 vjet burgim, pika e dytë trajtim mizor me 20 burg, pika e tretë torturë me 25 burgim, pika katër vrasje 33 vjet burgim. Rregulla 163 (4) kërkon nga peneli të jep një dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, sigurisht varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen për pikat një deri në katër të merr së bashku apo me një dënim më të lartë burgimi sesa ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. ZPS kërkon që t’i jepet të akuzuarit një dënim i vetëm prej 35 vjet burg”, ka thënë prokurori.
Prokurori Cezary Michalczuk ka thënë se lidhur me shqiptimin e dënimit, trupi gjykues duhet të ketë parasysh tri rrethana rënduese, ndër to, sipas tij, edhe që krimet janë kryer ndaj viktimave të pambrojtura.
“Në lidhje me faktorët rëndues prokuroria e fton turpit gjykues të ketë parasysh tre rrethana rënduese: keqpërdorimin e pushtetit-cilësisë zyrtare nga i akuzuari, faktin që krimet janë kryer ndaj viktimave veçanërisht të pambrojtura dhe faktin që krimet janë kryer me egërsi të veçantë”, ka thënë ai.
Gjatë deklaratës përmbyllëse, prokuroria ka thënë se provat tregojnë përtej dyshimit të arsyeshëm që i akuzuari ka përgjegjësi penale për një person të vrarë.
“Provat tregojnë përtej dyshimit të arsyeshëm që viktima është vrarë dhe i akuzuari ka përgjegjësi penale. Të nderuar gjykatës, rregullat e procedurës ju lejojnë që të gjeni palën fajtore kur bëhet fjalë se ajo është e vetmja arsyetim që mund të dalë dhe në këtë drejtim vetëm koherenca e bredhshim e këtyre provave është ajo që duhet të mirret parasysh. Pa pasur nevojë për dëshmi të drejtpërdrejtë lidhur me momentet e fundit të jetës së viktimës të gjitha na dërgojnë tek konkluzioni, në konkluzioni i vetëm se viktima është vrarë dhe zotëri Salih Mustafa është përgjegjës për këtë”, ka thënë prokurori Filipe Deminiqes.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se nuk kanë dëshmitarë për të provuar se çka ka ndodhur në momentet e fundit të jetës së viktimës, por sipas tyre nuk ka diskutim, që viktima është vrarë nga personat në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Sipas prokurorisë, Salih Mustafa mban përgjegjësi penale për vrasjen që përmendet në aktakuzë.
“Nuk kemi dëshmitarë për të provuar se çka ka ndodhur në momentet e fundit të jetës së viktimës, vrasja e ka bërë të sigurt të mos ketë një gjë të tillë, por në rrethana që kemi diskutuar nuk ka diskutim që viktima është vrarë nga kapësit e tij në kompleksin e ndalimit në Zllash… Salih Mustafa është përgjegjës për vrasjen si krim lufte përmes pjesëmarrjes në këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale. ZPS ka shpjeguar se si pika një deri në katër janë bërë nga Salih Mustafa së bashku me një numër personash të tjerë që ishin anëtarë të BIA-s nën komandën e tij”, ka thënë prokurori.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës ku Zyra e Prokurorit të specializuar ka paraqitur deklaratën përmbyllëse.
Ndërsa të mërkurën, mbrojtja e viktimave do të paraqesë deklaratën përmbyllëse pas së cilës do të dëgjohet deklarata përmbyllëse e mbrojtjes.
Në këtë proces gjyqësor, i cili është drejt fundit, janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara. Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.
Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar./kp

Back to top button