Prokuroria në Gjakovë: I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë ende në kërkim

(Lajm i përditësuar)
Prokuroria në Gjakovë: I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë ende në kërkim
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dalë me një komunikatë në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës.
Prokuroria thotë se ka iniciuar rast për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Tutje thuhet se bashkë me policinë po ndërmarrin veprimet e nevojshme për të arrestuar të dyshuarin.
Ndërkaq, trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Komunikata e plotë:
Gjakovë, 6 nëntor 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se sot, më datë 6 nëntor 2025, është raportuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës.
Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Gjakovë dhe Prokurori kujdestar.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim.
Gjithashtu, janë duke u mbledhur provat dhe po ndërmirren të gjitha veprimet e nevojshme.
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë kishte aktakuzë për dhunë në familje e kanosje
Dy vëllezër janë vrarë sot në fshatin Golluboc të Malishevës. I dyshuar për rastin është A.I nga Sankoci i Drenasit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për portalin rtv21.tv, ka thënë se ndaj të dyshuarit më 6 prill të këtij viti është paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit dhe i është caktuar.
Ndaj të dyshuarit më 7 prill i është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë në familje” sipas nenit 248 te Kodit Penal te Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala për portalin rtv21.tv /21Media
Vrasja e dyfishtë në Golluboc të Malishevës, prokurori jep detaje të reja
Detaje të reja janë shpalosur për vrasjen e dyfishtë në fshatin Golluboc të Malishevës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se dorasi ka raporte familjare me dy viktimat, por zyrtarisht ende nuk dihet motivi, raporton KosovaPress.
Ai theksoi se i njëjti është ende në arrati, por shtoi se po punojnë së bashku me Policinë e Kosovës që i dyshuari të arrestohet sa më parë.
“Kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, vrasje të dyfishtë, ku kemi të bëjmë me dy viktima. Kryesi i kësaj vepre penale është ende në arrati dhe policia, së bashku me prokurorinë, janë duke marrë të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij”, tha ai.
I pyetur për motivet dhe provat materiale që janë gjetur në vendin e ngjarjes, ai tha se nuk mund të japë informacione zyrtare pasi duhet bërë verifikimi i informatave.
“Tani për tani nuk mund të jap informacione, pasi duhet të bëjmë verifikimin e këtyre informatave dhe pastaj të dalim me një njoftim zyrtar që informacionet të jenë të sakta… Ajo që mund t’ju them është se mes veti kanë raporte familjare, por motivin nuk e dimë ende saktësisht. Pasi t’i marrim të dhënat e tjera më të sakta, do të dalim me një komunikatë zyrtare”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy vëllezër janë vrarë të enjten nga dhëndri i tyre në Golluboc të Malishevës. Në raportin e policisë thuhet se dy vëllezërit, rreth orës 11:30, u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
I dyshuari, sipas policisë, është nga një fshat i Drenasit, i cili është identifikuar, por ende nuk është arrestuar.
Vrasje në Malishevë, viktima janë dy vëllezër i dyshuari është dhëndrri i tyre
Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në Malishevë në orët e pasdites së sotme në fshatin Gollubovc.
Për portalin rtv21.tv rastin e ka konfirmuar drejtori rajonal në Gjakovë, Lumni Graishta, i cili ka njoftuar se i dyshuari është në arrati/
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?