Prokuroria nisi hetimet për vdekjen e 23 vjeçares nga Drenasi

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për vdekjen e 23 vjeçares Z.I nga fshati Zabel i Drenasit. Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, mund t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke e trajtuar rastin në fjalë”, ka informuar Ulaj.
23 vjeçarja Z.I nga fshati Zabel i Drenasit ka vdekur dje në QKUK. Lajmi për vdekjen e saj është bërë viral në rrjetet sociale, duke u pretenduar se shkaktar mund të ketë qenë vaksina antiCovid, të cilën e kishte marrë dy ditë më herët. Mirëpo, këto dyshime i ka hedhur poshtë QKUK-ja, sipas së cilës, mjekët kanë konstatuar se diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemoragjik.
QKUK ka sqaruar se pacientja ishte dërguar dje në Klinikën Emergjente në ora 16:30, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar. Sipas njoftimit, mjekët dhe stafi shëndetësorë menjëherë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i janë bërë analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Tutje, përkundër përpjekjeve nga stafi i Klinikën Emergjente, është konfirmuar se pacientja nuk ka arritur të mbijetojë dhe vdekja e saj është konstatuar në ora 17:45.
QKUK ka theksuar se familjarët e 23 vjeçares kanë refuzuar obduksionin.
Në anën tjetër, një familjar i 23-vjeçares në rrjete sociale ka shkruar se ajo ka vdekur 48 orë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës antiCOVID. I njëjti për portalin rtv21.tv ka thënë se Z.I nuk ka pasur probleme shëndetësore përveç se në vitin 2017 kishte pasur një ndërhyrje kirurgjike./21Media

Back to top button