Promovohet libri për gjenocidin ndaj shqiptarëve

 

Instituti për të vërtetën, drejtësinë dhe paqen promovoi librin ”Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake humanitare e NATO-s në vitin 1999”, që nxjerr në dritë gjenocidin ndaj shqiptarëve gjatë periudhës 1989-1999. Ky libër është përgatitur e publikuar nga Muharrem Mustafa, Blerim Krasniqi dhe Bujar Mustafa.

Muharrem Mustafa tha se një publikim si ky ka qenë i nevojshëm pasi që është krijuar konfuzion për publikun vendor dhe ndërkombëtar, duke ngatërruar kështu viktimat shqiptare me kryesit e gjenocidit, Serbinë dhe RF të Jugosllavisë.

”Ky gjenocid është reflektuar dhe argumentuar jo mjaftueshëm deri më tani por është vlerësuar që është e nevojshme një publikim i tillë, për më tepër ka raste kur e vërteta është shtrembëruar duke krijuar konfuzion me dashje apo pa dashje për publikun e gjerë vendor, dhe ndërkombëtar. Konfuzioni shkon deri atje sa të ngatërrohen viktimat shqiptare dhe kryesit e gjenocidit Serbia dhe republika Federale e Jugosllavisë, si pasojë ende nuk ka drejtësi për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, tha ai.

Mustafa tregoi se në këtë publikim argumentohet plani i përgatitur i Serbisë dhe RFJ-së, për të shfarosur shqiptarët në Kosovë, përmes ekonomisë, shëndetësisë e kulturës.

”Ky publikim pasqyron faktin se gjenocidi u realizua nga Serbia dhe RFJ përmes një plani të përgatitur dhe të koordinuar paraprakisht, që synon shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë. Ky publikim argumenton faktin që gjenocidi ka filluar dhe është realizuar përmes shkatërrimin ekonomik, rrezikimit të sigurisë kolektive, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, sistemit arsimor, gjuhës shqipe, kufizimit të lirisë, sistemit shëndetësorë që u kulmuan me vrasje masive, masakra. Përdhunime, plaçkitje e shkatërrim të pasurisë, spastrim etnik”, tha ai.

Ilir Dugolli me një kumtesë në këtë promovim paraqiti konceptin e Filozofisë së përmbysur, ku tha se duhet të tregojmë të vërtetën në opinionin ndërkombëtarë, pasi që Kosovarët përjetuan në forma të ndryshme gjenocidin.

”Të ngremë zërin që të tregojmë te vërtetën edhe në opinionet ndërkombëtare. Shumë pak kemi bërë lidhur me të vërtetën tonë. Fobia e neglizhenca për ta treguar të vërtetën tonë nuk ka kuptim fare[…]Në Kosovë u përjetuan forma të ndryshme të gjenocidit përfshirë dëmin kolektiv i dhunshëm dhe i organizuar nga shteti Serb, trupat e të vrarëve u masakruan me armë të ftohta”, tha ai.

Back to top button