Propaganda ndaj Kosovës, Berisha: Grok, armë e fuqishme për ta luftuar dezinformimin serbo-rus

Promovimi i dezinformacionit në rrjetet sociale nga Serbia dhe Rusia, po bëhen me qëllim të minimit të procesit të demokracisë në Kosovë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.
Shtrembërimi i së vërtetës së historisë së Republikës së Kosovës nga Serbia dhe aleati i saj historik Rusia, vazhdon ashpër në rrjetet social. Por, si mund t’i kundërvihet Kosova gjithë kësaj propagande dhe lajmeve me përmbajtje fyese e ofendime raciste?
Ekspertët e kibernetikës thonë se inteligjenca artificiale Grok në platformën X është arma më e fuqishme që mund të shfrytëzohet në këtë rrugëtim.
Halil Berisha thotë se është vështirë që institucionet e Kosovës të merren me të gjithë propagandën dhe luftën hibride të përqendruar kundër vendit tonë nga Serbia apo Rusia.
“Mënyra se si bëhet dezinformimi, është pjesë e një lufte të gjerë hibride, e cila nuk bëhet vetëm nga institucionet, në këtë rast të Serbisë. Ne kemi parë që, përveç institucioneve të Serbisë që janë prirës të kësaj propagande, të cilat prej presidentit Vuçiq e më poshtë, çdo status të tyrin që kanë të bëjnë me Kosovën, bëjnë dezinformim duke thënë se “Kosova nuk është shtet”, “Kosova ka institucione të përkohshme”, “Është pjesë e Serbisë”, “Po bëhet një luftë speciale ndaj serbëve në Kosovë”, “Krizë humanitare ndaj serbëve në Kosovë”, pra shumë të tjera nuk bëhen vetëm nga institucionet e Serbisë dhe kësisoj është pak problematike që institucionet e Kosovës të merren me të gjithë propagandën”, ka thënë Berisha.
Berisha thotë se serbët kanë një “ushtri” të tërë të botëve, programe që komentojnë në mënyrë automatike, për shpërndarjen e propagandës dhe lajmeve të rreme.
“Megjithatë, kjo propagandë nuk ndalet këtu, kemi vërejtur shumë profile të ndryshme edhe të qytetarëve, aktivistëve dhe analistëve, por edhe të botëve të cilët janë programe që komentojnë mënyrën automatike, pra nuk është një person mbrapa tyre, janë llogari që komentojnë në mënyrë automatike në çdo lajm, publikim i cili flet ose tregon sukseset e Kosovës dhe hyn ndoshta edhe me një koment shumë të shkurtër që “Kosova është Serbi” ose që “Kosova po bën luftë ndaj serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Berisha shprehet se Grok është një armë e fuqishme për vendin tonë, e cila sipas tij kur bashkohet me të vërtetën është në anën tonë.
“Serbët kanë një ushtri të tërë të botëve, të cilët ne mund të themi të vërtetën tonë, mirëpo sasia e tyre, komentet e tyre është shumë më e madhe dhe kësisoj te një person i tretë ndoshta mund të ketë ndikim ende më të madh sesa e vërteta jonë, pasi që nuk e di se cila është e vërteta. Nëse përdorim Grok, ai në një mënyrë shumë të strukturuar e tregon të vërtetën dhe është një, le të themi, institucion i cili ka një besueshmëri shumë më të madhe sesa që të shkojmë secili prej nesh. E kemi një armë shumë të fuqishme, të cilën kur të bashkohet me të vërtetën e cila është në anën tonë, atëherë mund ta bëjë diferencën në këtë luftë”, tha Berisha.
Kujtojmë se inteligjenca artificiale Grok është krijuar për luftimin e përmbajtjes së pavërtetë. Elon Musk lansoi zhvilluesin e Grok, xAI, në vitin 2023, dhe ai mund të gjendet në platformën e mediave sociale X si një aplikacion ose në faqen e tij. Musk tha se Grok do të ishte maksimalisht në kërkim të së vërtetës dhe se do të ofrojë përgjigje të zgjuara.
Grok 3 u përgjigjet pyetjeve në lidhje me lajmet duke tërhequr informacione nga mediat dhe postimet e njohura X, dhe përgjigjet mund të anojnë në varësi të burimeve të përdorura dhe peshës që i jep përmbajtjes së ndryshme.