Prorektori kërkoi takim me përfaqësuesit, studentët nuk pranojnë, “o të gjithë o asnjë”

Dështoi takimi në mes studentëve të UT-së dhe prorektorit të këtij universiteti Arbër Çeliku

Dy palët u dakorduan mbrëmë në emisionin Click Plus që sot të ulen dhe të shqyrtohen kërkesat e studentëve, por Çeliku studentëve u vendosi kushte. Ai kërkoi që takimi të zhvillohet pa praninë e mediave dhe të mos marrin pjesë të gjithë studentët, por vetëm përfaqësuesit e fakulteteve.

Çeliku: “Merrni përfaqësues dhe ejani në takim, kaq mund t’iu them. Ju faleminderit”.
Studentja: “Ju po shkelni fjalët tuaja, ju mbrëmë thatë se të gjithë mund të vinë”
Studenti: “Le të jetë 7-10 përfaqësues, ne tjerët të jemi dëshmitarë ”
Çeliku “Nuk jemi gjykatë”

Këto kushte nuk i pritën mirë studentët, të cilët filluan të brohorisnin “O të gjithë o asnjë”

Studentët edhe një herë u shprehën se në këtë protestë nuk është e përzier asnjë parti politike.
Ata edhe një herë i përsëritën kërkesat e tyre dhe potencuan neglizhencën, që sipas tyre ua bënë rektorati.

“Mbrëmë të gjithë ishim dëshmitarë të asaj se çfarë premtoi para opinionit Arbër Çeliku, ai tha të gjithë studentët që kanë protestuar të marrin indekset dhe të vinë të bisedojmë. Dhe kjo që ai thotë te vinë vetëm 7 ose 8 studentë është goditje ndaj studentëve për ti përçarë ata”, tha studenti.

“Ishte qëllimi i tyre t’i zbehin protestat. Ditën e parë, ditën e dyta vetëm se filluan të zbehen, ndërsa në të tretën premtuan se do t’i pranojnë studentët me kërkesa të parapara më herët. Mirëpo i shpërqendruan kërkesat e studentëve dhe e zbehen protestën”, u shpreh studenti.

“Ne si studentë të mjekësisë kemi përcjellë disa here deri te dekanati kërkesa dhe kemi hasur në mos përgjigje. Ne kërkojmë zvogëlim e tarifave për studentët e huaj deri në 50%. Furnizimi i laboratorëve. Mbajtja e kollikfiumeve. Shtimi i afatit të prillit”, tha studentja.

Pas një orë pritje në hollin e rektoratit, prorektori zbriti edhe një herë për t’i bindur studentët që të takohen vetëm me përfaqësuesit e drejtimeve universitare.

“U përgjigja edhe mbrëmë në emisionin edhe sot. Ne jemi rektorat d.m.th. formuloni këshillin koordinues, le të vinë 13 përfaqësues, le të debatojnë për probleme konkrete, për hallet që kanë ata, dhe këto kërkesa në mënyrë të drejtpërdrejtë si udhëheqësi me këshillin koordinues t’i trajtojmë”, u shpreh Arbër Çeliku.

Por studentët qëndruan në vendimin e tyre, se duan debat të hapur me praninë e mediave

Ndryshe studentët kanë dhënë ultimatum 7 ditë që të plotësohen 15 kërkesat e tyre, në të kundërtën do të dalin sërish në rrugë për të protestuar.

Back to top button