Protesta e punëtorëve: AAK kërkon nga qeveria të ndërmarrë veprime me urgjencë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që me urgjencë në Kuvendin e Kosovës të sillet për miratim Ligji i pagave.
Deputeti i këtij subjekti politik Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media tha se mësimdhënësit po diskriminohen nga kjo Qeveri.
“Kjo Qeveri po prodhon vetëm kriza, e jo zgjidhje. Qeveria e Kosovës, tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza qofshin ato politike, ekonomike e mbi të gjitha po vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies në vend, duke varfëruar qytetarët çdo ditë e më tepër. Greva e sotme e sindikalistëve duke përfshirë dhe mësimdhënësit, vërteton se kjo qeveri qytetarëve nuk po u ofron zgjidhje por kriza. Mësimdhënësit, që ishin dikur shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po shtypet e po diskriminohen nga kjo Qeveri. Qeveritarët duhet ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi, por nga zori. Ata gjenden në një situatë tejet të pafavorshme sociale-ekonomike, dhe në këtë situatë janë nga pazotësia e Qeverisë së vendit”, tha i
Tutje Dreshaj kërkoi që krahas urgjencës për Ligjin e Pagave, Qeveria e Kosovës të merret me seriozitet edhe për implementimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.
“Ne si Aleancë i rekomandojmë Qeverisë që me urgjencë të sjell Ligjin e Pagave në Kuvend, i rekomandojmë që kjo Qeveri të merret seriozisht me arsimin dhe shëndetësinë duke impelmentuar Ligjin për sigurime shëndetësore dhe duke bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti… Bash këto dy kategori sot janë në shënjestër për të keq, dje protestuan mjekët, sot protestojnë mësimdhënësit”, theksoi ai.
Sot punëtorët e sektorit publik kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar miratim të Ligjit të pagave dhe nga 100 euro shtesa për punëtorët e këtij sektori./21Media

Back to top button