Protesta të mëdha në Gjeorgji për projektligjin “agjent i huaj”

Protestuesit janë përplasur me policinë në kryeqendrën e Gjeorgjisë, Tbilisi, pasi Parlamenti e kaloi një projektligj që kritikët thonë se limiton lirinë e mediave dhe shtyp shoqërinë civile.
Policia ka përdorur lotsjellës për ta shpërndarë turmën që ishte mbledhur jashtë ndërtesës së Parlamentit.
Disa protestues janë parë duke u rrëzua përtokë e duke u kollitur, ndërsa disa tjerë kanë valuar flamujt e BE-së dhe të Gjeorgjisë.
Qeveria ka thënë se disa policë janë lënduar dhe ka pasur edhe dëme materiale.
Ka pasur kritika të gjëra në lidhje me projektligjin, që kërkon që organizatat joqeveritare dhe mediat e pavarura që marrin më tepër se 20 për qind të financimeve nga jashtë të shpallin veten “agjentë të huaj”.
Opozita e ka përshkruar këtë si ligj të stilit rus që do të stigmatizonte dhe shtypte shoqërinë civile dhe mediat e pavarura.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, ka thënë se ky projektligj do të ishte “një kthim i madh prapa”.
Price ka thënë se është i shqetësuar me situatën.