Protestohet kundër vendimit për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve
“Merakli t’kerreve” sot në protesta nga ora 13:00
Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26% ka pasur reagime të shumta nga qytetarët.
Madje, janë organizuar edhe protesta, një prej të cilave do të mbahet sot para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës. Protestën e sotme që fillon në ora 13:00 e organizon grupi në “Facebook” “Merakli t’kerreve” kundërshton vendimin e BQK-së.
“Duke e ditur këtë fakt i cili prekë xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq”, thuhet në njoftimin e këtij grupi.
Ndërkaq protesta tjetër është paralajmëruar për datën 23 nëntor nga “Speedomaniaks”.
“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit”, ishte arsyeja e BQK-së.
Sipas tyre, të gjitha kompanitë e sigurimit të cilat kanë operuar në Kosovë nga viti 2002 kanë pësuar humbje më shumë se 23. 5 milionë euro, që i bie për çdo vit nga 1.3 milion./21Media