Protestohet në Prishtinë pas dhunimit të 11-vjeçares

Qytetarë të shumtë sot janë mbledhur para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë proteste kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona.
Xheraldina Rexhepi, organizatore e kësaj proteste, tha se është e indinjuar nga ngjarja makabre e dhunimit të 11-vjeçares dhe me këtë ngjarje ka dështuar e gjitha shoqëria.
“Edhe ne si shoqëri nuk jemi duke bërë asgjë nuk mund të presim nga shteti për t’i kryer këto punë në secilin prej vetes sonë duhet të fillojë ndryshimin”, tha ajo.
Nga Ferizaj në Prishtinë kishte ardhur për të marr pjesë në këtë protestë edhe Shukri Retkoceri.
Ai kërkoi nga krerët e institucioneve të Kosovës për te hetuar gjyqtarët dhe prokurorët se a janë duke kryer punën si duhen në këtë drejtim.
“Ky akt kriminal që ka ndodh, ata dhunues e meritojnë varje këtu përpara bustit të Skënderbeut”, tha ai.
Në këtë protestë nuk morën pjesë ndonjë krerë institucionalë.
Edhe për nesër është paralajmëruar një protestë për të kundërshtuar dhunën ndaj femrave, e cila është organizuar nga shoqëria civile.
Dhunimi i 11-vjeçares nga pesë persona që dje u raportua ngjalli reagime te shumta. Për këtë rast tashmë janë arrestuar 4 persona, ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se personi i 5-të është identifikuar por ende nuk është arrestuar./kp

Back to top button