Protestohet për ndriçimin e rastit të Astrit Deharit

Të premten para Prokurorisë Speciale të Kosovës është mbajtur protestë për të kërkuar drejtësi për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Protesta u organizua dy ditë para se të bëhen 7 vjet nga vdekja e Deharit.

“U mbajt pa gjykim, po mbahet pa hetim”, “ Ne jemi Astrita”, “Prokurori mos flej, heto rastin”, “Drejtësi për Astritin” janë disa nga mesazhet e protestuesve.

Protesta u kryesua nga familja e Astrit Deharit dhe avokati i tyre, Tomë Gashi, të cilët akuzuan prokurorinë për fshehje e manipulim të rastit.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbi 5 vjet që e ka marrë këtë rast dhe pasnesër që bëhen 7 vjet nga hetimi i këtij rasti, nuk e ka përfunduar rastin ashtu siç provat tregojnë. Prokuroria e din më mirë se të gjithë ne sepse i kanë të gjitha provat se Astrit Dehari është vra”, tha avokati Gashi.

Më 4 gusht të vitit 2016 objekti i Kuvendit të Kosovës u sulmua me një granatë dore. Me 30 gusht të atij viti, Policia kishte arrestuar gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, si të dyshuar për kryerjen e sulmit. Një nga ta ishte Astrit Dehari.

Bashkë me të tjerët, Astriti kishte përfunduar në paraburgim në Prizren, teksa priste për një aktakuzë, ngritjen e së cilës nuk e përjetoi. Me 5 nëntor të vitit 2016, Astrit Dehari, u gjend i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Back to top button