Protestojnë fëmijët

“Duam Mjedis të Pastër” ishte motoja e protestuesëve

Green Art Center-Prishtina, zyra në Gjilan, të hënën ka organizuar aktivitete për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit.

Këto aktivitete u organizuan nga zyrtarë të GAC-it, ndërsa u përkrahën nga nxënësit e Klubeve të Gjelbra, si dhe arsimtarët përgjegjës të këtyre klubeve.

Aktivitetet nisën me marshin e nxënësve nën moton “Duam Mjedis të Pastër”, të cilët parakaluan përgjatë një pjese të qytetit të Gjilanit, duke mbajtur kapela dhe pankarta me mesazhe të shumta sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit.

Zyrtarë të GAC-it janë shprehur të kënaqur me gatishmërinë e shkollave për të bashkëpunuar dhe me gatishmërinë e nxënësve për të përcjellë çdo aktivitet të tyre.

Ata thanë se u vjen mirë kur i shohin pikërisht fëmijët, duke dashur të bëjnë ndryshime dhe të vetëdijesohen në këtë aspekt, andaj, edhe shfrytëzuan rastin t’i falënderojnë të gjitha Klubet e Gjelbra për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin kësaj nisma të GAC-it për mbrojtjen e mjedisit.

Aktiviteti ka vazhduar edhe me vendosjen e një stende në një pikë të qytetit, si dhe me shpërndarjen e njoftimeve dhe çantave ekologjike për qytetarë.

Aktivitete të ngjashme janë zhvilluar edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren dhe Gjakovë, ku është parë një masovitet i nxënësve dhe qytetarëve në përgjithësi, të cilët kanë shprehur kënaqësinë të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla të dobishme dhe të domosdoshme për vendin tonë.

Ndryshe, aktivitetet e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, janë shënuar me qëllimin e vetëm, që të përcjellin mesazh sensibilizues te të gjithë qytetarët e Kosovës, për ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e tij.

Back to top button