Protestuesit në “Trepçë” ultimatum Qeverisë deri të premten

Paralajmërojnë radikalizim të protestës

Dhjetëra qytetarë kanë vazhduar të protestojnë edhe sot para hyrjes së objektit të menaxhmentit të “Trepçës” në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje. Protestuesit kanë dhënë afat qeverisë që deri të premten të anulojë konkursin dhe të shkarkojë menaxhmentin, në të kundërtën paralajmëruan eskalim të situatës.

Arsim Musa, nga këshilli protestues, ka bërë të ditur se protestuesit do t’i japin afat qeverisë deri të premten që të shkarkojë menaxhmentin e ndërmarrjes “Trepça” dhe të anulojë konkursin. Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, protesta mund të eskalojë në dhunë, për çka përgjegjës do të jetë menaxheri Basri Ibrahimi.

“Kësaj qeverie do t’i japim afat deri të premten të anulojë këtë konkurs dhe ky menaxhment të shkarkohet. Ndryshe, masat munden me qenë radikale dhe askush nga ne nuk merr përgjegjësi për çfarëdo që ndodhë. Mundet me eskalu në dhunë, me pas thyerje të veturave, dëmtim të pronës, të lëndohen edhe njerëz dhe përgjegjësia bie tek menaxheri i tashëm”, ka thënë Musa.

Dje 50 minatorë të rinj kanë mbajtur grevë në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës në Stan Tërg, kjo për shkak se ka indikacione se konkursi i pranimit të tyre do të anulohet.

Konkursi për pranimin e rreth 200 punëtorëve të rinj në Trepçë ishte hapur në kohën e fushatës zgjedhore në Kosovë dhe mbi pakënaqësitë e këtij konkursi është protestuar me ditë të tërë para menaxhmentit të Trepçës.

Qeveria Kurti ka shkarkuar edhe bordin e Trepçës me pretendimet për dyshimet pikërisht për këtë konkurs./21Media

Back to top button