PSD thotë se nuk e voton buxhetin, pa shkarkimin e Rikalos

Sa po plotësohen pesë kushtet e PSD-së?

Partia Socialdemokrate (PSD), është e vendosur se pa realizimin e pesë kushteve të tyre, nuk do ta votojnë projekt-ligjin për buxhetin 2019.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi në një prononcim për portalin rtv21.tv, tha se për plotësimin e kushteve të tyre Qeverisë i kanë dhënë afat deri në muajin mars.

“Realizmi i kushteve tona është i lidhur me votimin e projekt-ligjit për buxhet në lexim te dytë, përfshirë edhe projekt-ligji për Qeverinë, që e kemi kërkuar më së largu në një afat tremujor”, ka thënë Kuçi.

Në fund të muajit mars të këtij viti Qeveria e Kosovës pritet të bëhet me ligj, ka pohuar sot edhe kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri. Si rezultat i këtij ligji pritet të bëhet edhe zvogëlimi i numrit të ministrive në Qeverinë e Kosovës, ka sqaruar ai.

Një nga pesë kushtet e PSD-së për votimin e projekt-buxhetit 2019, është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalos. PSD konsideron se Rikalo ka dështuar në drejtimin e sektorit të bujqësisë dhe sipas kësaj partie shkarkimi i tij është prioritet dhe interes i Kosovës.

“Partia Socialdemokrate nuk e voton projekt-ligjin për buxhetin në lexim të dytë, pa shkarkimin e z.Rikallo, të cilën konsiderojmë se ka dështuar në drejtimin e sektorit të bujqësisë, që është prioritet dhe interes i Republikës së Kosovës”, u shpreh Natyra Kuçi për rtv21.tv

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për medie sot tha se kërkesa e PSD-së është kërkesë legjitime dhe kjo do të shqyrtohet.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo u bë “i gjallë”, më 9 janar pasi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën për përmirësimin racor të gjedheve “Gen Vet” me qëllim të rritjes së potencialeve të kësaj shoqate. Ndërsa sot Nenad Rikalo, në një takim me përfaqësuesit e Grupit të Bankës Botërore (BB), ka pranuar një fond prej 60 milionë euro për projektet në Bujqësi.

Partia Socialdemokrate (PSD), është në pritje të jetësimit të kërkesave të saj për çështjen e projekt-ligjit për buxhetin.

“Votimi apo jo i PSD i projekt-ligjit për buxhetin varet tanimë nga veprimet e Qeverisë, përkatësisht shumicës parlamentare. Ligji për pagat, Ligji për Dialogun, Ligji për Qeverinë, Shkarkimi i z.Rikallo dhe Reforma pensionale janë interes i përgjithshëm dhe nevoja të qytetarëve të Republikës. Pa realizimin e tyre, nuk ka vota nga Partia Socialdemokrate për projekt-ligjin për buxhetin”, ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Ligjin për Buxhetin e vitit 2019 më 21 dhjetor të vitit 2018. Ligji kaloi në lexim të parë me 62 vota pro. Ende nuk është caktuar seanca për votimin e buxhetit 2019. Por, sipas një deklarate të kryeministrit Haradinaj dhënë ditë më parë, buxheti 2019 do të votohet në javën e tretë të janarit

Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual, pritet që të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro./21Media

Back to top button