PSD vendos një shportë me qershia para Qeverisë: Kurti po vepron si Nastradini

Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik të hënën ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për dialogun me Serbinë.
Socialdemokratët para hyrjes së objektit të ekzekutivit, vendosën një shportë me qershia të prishura, derisa në mënyrë ironike krahasuan kryeministrin Albin Kurti me personazhin e Nastradinit nga anekdotat e vjetra.
Sipas anëtares së kryesisë së PSD-së, Teuta Rrusta, Kurti po vepron si Nastradini në raport me dialogun, pasi po i zbaton marrëveshjet që të kaluarën i ka kritikuar, njësojë sikur Nastradini me qershitë, që fillimisht i hodhi në bërllok, pastaj filloi t’i mblidhte të njëjtat.
“Barsoleta me qershinë është tallje me hipokrizinë. Me këtë hipokrizi që përkon me dialogun e fundit dhe krejt marrëveshjet që Kurti është duke i realizuar, e për të cilat ka thënë se do t’i rinegociojë ose rrëzoj krejt. Keni një situatë kur është vazhdimësi e dialogut të vjetër që nuk mundet të ketë një epilog më ndryshe sesa që kemi parë deri tash”, tha ajo.
Derisa vijoi të sqarojë barsoletën me qershitë, Rrusta tha se kjo është tallja me hipokrizinë e Kurtit në dialogun me Serbinë.
“Kjo është një “fore” e Nastradinit që ka thënë se qershia s’duhet hëngër që janë të prishura dhe i ka gjuajtur. Pas një kohe ka filluar të merr secilën prej shportës së bërllokut, ndoshta kjo nuk është prek prej bërllokut, ndoshta kjo tjetra nuk është prek. Në fakt të gjitha janë të njëjta dhe nuk duhen asgjë, përveç për bërllok. Ideja është se ka hipokrizi kur ti kritikon diçka dhe përfundon zbatues dhe normalizues i tyre”, theksoi Rrusta.
Partia Socialdemokrate edhe në të kaluarën ka ndërmarrë aksione të tilla simbolike, varësisht prej kauzave të tyre politike

Back to top button