“Pse duhet të rritet çmimi i rrymës?”, Rafuna zbulon bisedën me kryetarin e ZRrE-së

(Lajm i përditësuar)
“Pse duhet të rritet çmimi i rrymës?”, Rafuna zbulon bisedën me kryetarin e ZRrE-së
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin “Click” në RTV21, zbuloi bisedën me kryetarin e ZRrE-së në lidhje me arsyetimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Ka qenë importi i madh, çmimi i importit ka qenë i rritur; ky ishte arsyetimi i tij dhe vetëm Kosova ka mbetur pa i vendosur bizneset në tregun e hapur, që është fakt, por që nuk ka qenë faj i bizneseve. ZRrE-ja nuk ka qenë e përgatitur,” tha ai.
Rafuna shtoi se bizneset nuk janë kundër daljes në treg të hapur, por që duan afat për t’u përgatitur.
“Ta shfrytëzojmë momentumin,” Rafuna i kërkon Qeverisë që ta heqë tarifën ndaj SHBA-së
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin “Click” në RTV21, i ka bërë thirrje qeverisë që tatimin doganor për mallrat me origjinë nga SHBA-në ta lirojnë.
“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe kjo është mundësi e mirë që të thithim investime prej SHBA-së, që të vijnë të prodhojnë në Kosovë e pastaj t’i eksportojnë,” tha ai.
Rafuna tregon se cilat mallra i eksporton Kosova në SHBA
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin “Click” në RTV21, ka treguar se cilat mallra i eksporton Kosova në SHBA.
“Prijnë me 29.4% artikujt e prodhuar, sidomos prej drurit, shufrat e jastëkëve; me 30% vijnë tekstilet; në fushën e dizajnit, pastaj kemi metalet bazë me 9%, ushqimet dhe pijet e përgatitura me 9%, dhe me një përqindje shumë të vogël marrin pjesë produktet vegjetale,” tha ai.
Derisa tregoi se importohen produktet minerale me 39.7%, produktet industriale 14.9%, dhe mjetet e transportit rrugor me 13.4%.
Rafuna: SHBA-ja mund të mos ta vendoste fare tarifën ndaj Kosovës nëse do të kishte lobim të mirëfilltë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin “Click” në RTV21, duke komentuar tarifën që iu vendos Kosovës nga SHBA-ja, tha se 10% nënkupton se Kosova ka eksportuar më pak se sa vendet e rajonit.
Por ai u shpreh se, nëse do të kishte lobim, Kosovës nuk do t’i vendosej tarifa fare.
“Për shkak të efektit zero që e ka në SHBA, por se kemi pasur, është mirë me institucionet tona, me kapacitetet që i kanë, me lobuar, se e kemi pasur rastin e Kanadasë, që e ka shtyrë vendosjen,” tha Rafuna.
Më tej, ai shtoi se Kosova ka shumë pak biznese që eksportojnë, derisa institucionet duhet t’i ndihmojnë bizneseve që eksportojnë në SHBA./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?