Pse e përjashtoi VV-ja Haki Abazin, tregon Kusari-Lila

Lëvizjes Vetëvendosje e përjashtoi Haki Abazin nga Grupi Parlamentar.

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila sonte në emisionin debatues “Click” në RTV21 tha se me Abazin i kanë ndarë rrugët muaj më parë. Por, përjashtimi i tij u formalizua “rrjedhshëm e natyrshëm” këtë të martë.

“Ka muaj që nuk ka komunikim me z.Abazi ka filluar prej qëndrimeve e pastaj komunikatave, fyerjeve, ofendimeve e kështu me radhë. Ai bile pas dakordimit në parim në Ohër të kryeministrit ka bërë edhe deklarim publik që ka ndarë rrugët me VV-në apo kryeministrin Kurti, më vonë është kthy dhe ka qëndruar brenda grupit, por pa funksion”, tha Kusari-Lila.

Por, a pati diçka personale Kusari-Lila me Abazin?

“Krejt çka ekzistu është ajo që të tjerët e kanë pa. Personalisht asnjëherë në jetë s’kam pasë të bëj ose s’ka qenë diçka në nivelin personal. Janë krejt ato pritjet që i ka pasë për funksionet që mund t’i ketë ose dëshiru ato janë çështje të tij. Aktualisht nuk ka pasë asnjë funksion ose bashkërendim qoftë edhe bazik me Grupin Parlamentar. Ka ardhë rrjedhshëm dhe natyrshëm vetëm formalizimi i largimit nga GP që ka ndodhur dje, jo sot”, tha Kusari-Lila.

Në anën tjetër Abazi ka akuzuar GP-në e VV-së se kanë dashur që të orkestrojnë një përplasje mes tij dhe deputetit Sali Zyba.

“Incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Kur shkova te ulësja në kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelen time nga aparati , dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kënd flet. Turp Krejt dhe Drejt! Si duket për të mbuluar dështimin në Bruksel të një rezultati negativ që ka orientuar procesin drejt ose kompromisit që e dështon rendin kushtetues të vendit ose e izolon Kosovën nga perendimi, deshën sot në Kuvendin e Kosovës të orkestrojnë një skandal e pëprlasje fizike me Sali Zybën. Asnjë kuptim tjetër nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës. Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshprues dhe veprim fëmijësh”, ka shkruar Abazi në “Facebook”./21Media

Back to top button