Pse ShBA do të dërgojë bomba thërrmuese në Ukrainë?

Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës një paketë municionesh thërrmuese për të ndihmuar në kundërsulmin e saj kundër Rusisë.
Shtëpia e Bardhë tha se e kishte shtyrë vendimin për aq kohë sa të mundej për shkak të rrezikut të dëmtimit të civilëve nga mjete të tilla të pashpërthyera.
Ukraina ka kërkuar armë për muaj të tërë në mes të mungesës së municioneve.
Municionet thërrmuese – të cilat janë të ndaluara nga më shumë se 100 vende – janë një klasë armësh që përmbajnë bomba të shumta shpërthyese të quajtura nënmunicione, përcjell portal rtv21.tv
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë të së premtes: “Ukraina është angazhuar për përpjekjet e çminimit pas konfliktit për të zbutur çdo dëm të mundshëm ndaj civilëve dhe kjo do të jetë e nevojshme pavarësisht nëse Shtetet e Bashkuara i ofrojnë këto municione apo jo për shkak të përdorimit të gjerë nga Rusia të municioneve thërrmuese”.
Ai shtoi: “Ukraina nuk do t’i përdorte këto municione në ndonjë tokë të huaj. Ky është vendi i tyre që po mbrojnë.”
Sullivan shpjegoi se Ukrainës po i mbaronte artileria dhe kishte nevojë për “një urë furnizimesh” ndërsa SHBA rrit prodhimin vendas.
“Ne nuk do ta lëmë Ukrainën të pambrojtur në asnjë moment në këtë periudhë konflikti,” tha ai.
Zyrtarët amerikanë kanë hezituar të furnizojnë Ukrainën me municione thërrmuese pasi ato mund të vrasin pa dallim në një zonë të gjerë, duke kërcënuar civilët. SHBA ka një rezervë të këtyre bombave thërrmuese, të cilat u zhvilluan për herë të parë gjatë Luftës së Dytë Botërore.