Publikohet lista e lojtarëve për ndeshjet e Kombëtares me Kuvajtin

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi ka shpallur listën për ndeshjet miqësore me Kuvajtin.
Kombëtarja të premten e të dielën luan miqësore me Kombëtaren aziatike. Ndeshjet zhvillohen në Podgoricë.
Kombëtarja e Kosovës grumbullohet të mërkurën në Prishtinë, ndërsa të enjten është udhëtimi për në Podgoricë.
Ndeshjet me Kuvajtin janë me peshë të madhe për të rritur konkurrencën në Kombëtaren e Kosovës si dhe për të zgjeruar bazën për selektimet e ardhshme.
Disa lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares mungojnë në këto ndeshje për shkak të obligimeve në klubet e tyre.
Ndërkohë, Qerimi ka ftuar lojtarë që kanë shfaqur formë të mirë në stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll.
Është ftuar Sali Maxhera dhe Festim Mustafa. Të dy ishin grumbulluar edhe në të kaluarën. Agon Bajqinovci është ftuar sërish, njëjtë si Florian Rexha i Vëllaznimit. Të dy ishin pjesë e grumbullimit të kaluar, por pa fituar rastin. Në ekip do të jetë edhe Shaban Zogaj, talenti që po zhvillohet hovshëm në Danimarkë.
Emra plotësisht të rinj në Kombëtare janë Matej Taçi që bën karrierë në Kroaci, si dhe portieri Elvir Muça Kuliq që luan në Suedi. Të dy kanë shprehur interesim të jenë pjesë e Kosovës dhe do të testohen në ndeshjet ndaj Kuvajtit. Të tjerët në listën e Bujar Qerimit janë emra të konfirmuar.
Grumbullim tjetër do të ketë Kombëtarja në fund të dhjetorit. Ka gjasa të luhen dy ndeshje miqësore me Arabinë Saudite, ndërsa në fillim të janarit janë ndeshjet kualifikuese me Greqinë, Belgjikën e Turqinë./21Media

Back to top button