Pushteti thotë BE-ja është vonuar në heqjen e masave për Kosovën, opozita ia hedh fajin pozitës

Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës që u vendosën në qershor të vitit të kaluar, vazhdojnë të jenë në fuqi, pavarësisht rekomandimit të kryediplomatit evropian Josef Borrel tek shtetet  anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e tyre.

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, vlerëson se BE-ja është vonuar në heqjen e këtyre masave, të cilat ishin vendosur padrejtësisht.

“…që nga fillimi e kemi theksu dhe riktheksu vazhdimisht që masat kanë qenë totalisht të panevojshme për faktin se masat ishin vënë për shkak të tensionimeve në veri, e në të gjitha raportet e vet KFORIT që i bëri situatës në veri vitin e kaluar, u dokumentua qartë që tensionimet erdhën për shkak influencës direkte të Serbisë, kontrollimit të grupeve ekstremiste të cilat ishin të vendosura në veri të vendit. Dhe nuk kishte ndonjë tensionim të shkaktuar nga mekanizmat e sigurisë. Janë vet mekanizmat e sigurisë të Kosovës të cilët me punën e tyre dhe angazhimin e tyre mbi punën që në atë pjesë të vendit tanimë të kemi një qetësi. Më shumë shtrirje të rendit dhe ligjit por edhe stabilitet sa i takon cështjeve të sigurisë. BE është e vonuar sa i përket eleminimit të këtyre masave për arsye se është dokumentuar qartazi se Kosova nuk është ajo që ka tensionuar situaten në veri…”, tha për rtv21 Hyseni nga LVV.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala vlerëson se nga ana e pushtetit nuk janë bërë veprimet e duhura për ta çliruar vendin nga këto sanksione të cilat dëmtuan jo vetëm imazhin politik, por siç deklaron ai edhe ekonominë e Kosovës.

“…fatkeqësisht Qeveria nuk ka bërë lëvizjet e nevojshme dhe përgatitjet e nevojshme. Nuk ka bërë lobimin dhe sqarimin e nevojshëm. Cështja ma e randë është sepse ka marrë obligime nga faktori ndërkombëtarë, si në Bruksel ashtu edhe në Ohër dhe pastaj janë tërhequr. Tash jemi para aktit të kryer të ndëshkuar me këto masa si rezultat i politikave të këqija të qeverisë…”

Humbjet për Kosovën konsiderohen të jenë të mëdha si pasojë e masave të BE-së, të cilat larguan edhe investitorët potencial, deklaron kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“…si shumë montare kemi humbur rreth 300 milionë. Nuk e kemi shifrën shumë te sakt se sa është vlera e projekteve që kanë mbetë pezull e s’janë implementu…më së shumti kanë pësu qytetarët, se po të ishin investu këto mjete përvec që kishin përfitu bizneset, kishim pasë qytetarët një mirëqenie sociale. E dyta prapë, qytetarët dhe shteti i Kosovës për arsye se ka humbë investitorët potencial që kanë pretendu me ardhë në Kosovë. Tash po hezitojnë…”

Masat ndëshkuese BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas rritjes së tensioneve në veri të vendit./RTV21/21Media

Back to top button