Pushuesit në Velipojë në protestë: Plazhi nuk ka roje dhe mungon shërbimi mjekësor

 
Vdekja e një 44 vjeçari në plazhin e Velipojës si pasojë e infarktit të pësuar në momentin që ka hyrë në ujë dhe vonesa për afro 1 orë e shërbimit mjekësor, ka sjellë një protestë të pazakontë të turistëve që kanë zgjedhur këto brigje të Adriatikut për të pushuar.
Pjesa më e madhe e tyre të ardhur nga Kosova, e quajnë absurd faktin që ndërsa po hyjmë në gjysmën e muajit qershor, plazhi nuk ka akoma roje bregdetare dhe shërbim mjekësor për t’u ardhur në ndihmë në rrezik mbytjeje.
“Ne tani që jemi dhe të moshuar vërejmë disa gjëra negative këtu. Së pari pastërtia nuk është në rregull. Pushtetin shqiptar e lus që të ketë mbikëqyrësa ose ndihmësa në bregdet. Për çdo vit që vij këtu të paktën 4-5 vdesin”, thotë një pushues.
“Së pari po vdesin nga pakujdesia, vonesa e ambulancës,” thotë një pushues tjetër.
Në rast të mos marrjes së masave të menjëhershme, pushuesit deklarojnë se do të largohen nga bregdeti shqiptar.
“Këtu kam 17 vjet që vij, nuk pashë edne në pirgun e vrojtimit një njeri brenda”, thotë pushuesi.
“Deri më tani, sa herë vijmë ne kemi humbje të njerëzve. Bëjmë një apel mos na bëjnë më të na ikin njerëzit”,  thotë pushuesi.
“Ne vijmë të pushojmë, jo të ngushëllohemi”,  thotë një tjetër.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i shëndetit publik, i cili pas protestës deklaroi se qendra shëndetësore do të hapet që nga kjo e dielë.
“Me rastin që ndodhi dje, qendra shëndetësore do të jetë e hapur tani në sezonin turistik”, tha Vjollca Vocaj, infermiere në qendrën shëndetësore Velipojë.
Edhe pse hapja e sezonit turistik tanimë ka ndodhur, shërbimi mjekësor dhe ndarja e stacioneve të plazhit ende nuk janë në funksion./oranews

Back to top button