Putin: Një “luftë e vërtetë” po bëhet kundër Rusisë

(Lajm i përditësuar)

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se një “luftë e vërtetë” po zhvillohet sërish kundër vendit të tij, ndërsa akuzoi elitat perëndimore për “mbjellje të urrejtjes dhe të rusofobisë”.

“Qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse ta shohin rënien e vendit tonë”, tha Putin, duke mos ofruar asnjë provë për pretendimet e tij.

Ai i bëri komentet para të tubuarve në Sheshin e Kuq të Moskës, për nder të 78-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Nëntë Maji, që në Rusi njihet si Dita e Fitores, kujton mposhtjen e Gjermanisë naziste më 1945.

Putin, vendi i të cilit ka nisur pushtimin e Ukrainës qysh nga shkurti i vitit të kaluar, tha se “është krenar për ushtarët që po marrin pjesë” në, siç e quajti ai, “operacionin special ushtarak” të Rusisë.

Ai tha se shtetësia dhe e ardhmja e Rusisë “varen nga këta njerëz”.

“Sot, qytetërimi është përsëri në një pikë vendimtare kthese. Një luftë e vërtetë ka nisur kundër atdheut tonë. Ne kemi zmbrapsur terrorizmin ndërkombëtar, do t’i mbrojmë banorët e Donbasit dhe do të garantojmë sigurinë tonë”, tha Putin.

“Nuk ka kauzë më të fortë në botë se dashuria jonë për forcat tona të armatosura”, shtoi ai.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra ekonomike dhe diplomatike kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Gjatë paradës ushtarake në Sheshin e Kuq, të pranishëm ishin edhe udhëheqës të ish-shteteve sovjetike, përfshirë Kazakistanin, Uzbekistanin, Taxhikistanin, Kirgizinë, Bjellorusinë dhe Armeninë.

Këto vende kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por kanë shpallur pavarësinë e tyre pasi blloku sovjetik, i dominuar nga Rusia, është shembur në vitin 1991.
Parada e Ditës së Fitores së Rusisë fillon në Sheshin e Kuq të Moskës

Parada vjetore e Ditës së Fitores në Rusi është duke u zhvilluar në Sheshin e Kuq të Moskës, ku presidenti rus Vladimir Putin po shikon dhe pritet të mbajë një fjalim.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu inspektoi trupat dhe i uroi ata për 78-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Dita e Fitores është më e rëndësishmja në kalendarin e presidentit rus, Vladimir Putin dhe ai e ka përdorur prej kohësh atë për të mbledhur mbështetjen e publikut dhe për të demonstruar aftësitë ushtarake të vendit.

Por këtë vit, madhështia e paradës është në kontrast me fushatën e lëkundur ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Jashtë Moskës, disa rajone në Rusi – shumë pranë kufirit me Ukrainën – pakësuan përgatitjet për spektaklin për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe mungesës së pajisjeve ushtarake për t’u shfaqur.

Në mesin e trupave që marrin pjesë në paradë sot janë ushtarakë që morën pjesë në atë që Rusia e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë./21Media

Back to top button