Putin: Nuk e njihja Flynn dhe nuk komunikova me të

Në darkën e vitit 2015, Putin e Flynn ishin bashkë

Presidenti rus Vladimir Putin ka rrëfyer se, në darkën e zhvilluar në Moskë në vitin 2015 e kishte pasur shumë të vështirë të komunikonte me ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Një foto e publikuar gjerësisht nëpër media nga ajo darkë ka nxitur edhe më tej spekulimet mbi lidhjet e mundshme mes administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Kremlinit.

Megjithatë, Putin ka thënë për “NBC” se, atij i kishin thënë vetëm më vonë se kush ishte në të vërtetë Flynn.

Ky i fundit u shkarkua në muajin shkurt, pasi nuk informoi saktësisht Shtëpinë e Bardhë mbi lidhjet e tij me të dërguarin rus në SHBA.

Flynn shfrytëzoi më tej të drejtën e tij kundër vetinkriminimit, duke refuzuar të dëshmojë në Komitetin e Senatit amerikan për shërbimet sekrete, mbi lidhjet e tij me Rusinë dhe mbi pretendimin se Moska ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të Amerikës në vitin 2016.

Presidenti Trump mohon të ketë pasur bashkëpunim me Rusinë, duke e përshkruar hetimin aktual të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) si një “gjueti shtrigash” ndaj tij. Në dhjetor të vitit 2015, presidenti Putin dhe Flynn morën pjesë në mbrëmjen gala në nder të rrjetit televiziv rus, “RT”.

Por gjatë intervistës së transmetuar në “NBC News”, mbrëmjen e së dielës, kreu i Kremlinit mohoi kontaktet e tij me gjeneralin amerikan. “Unë mbajta një fjalim, e më pas fola me disa prej të ftuarve, për t’u ngritur e për t’u larguar më pas nga ajo shfaqje”, tha Putin.

“Më pas më thanë nëse e kisha mësuar se në atë mbrëmje ishte edhe një shtetas amerikan, i cili ishte i përfshirë në disa çështje të rëndësishme… Ai ishte një ndër të përfshirët në shërbimet e sigurisë. Kaq është. Unë madje as nuk komunikova dot me të”. Putin refuzoi gjithashtu, duke i quajtur “ngarkesa të pakuptimta”, pretendimet se Kremlini ka pasur informacione kompromentuese mbi presidentin Trump.

Back to top button