Putin pranon ftesën e Erdoganit për të vizituar Turqinë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar ftesën e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për të vizituar Turqinë mes tensioneve në Ukrainë.
Kremlini tha se Putini do të vizitojë Turqinë sapo situata dhe oraret e pandemisë ta lejojnë këtë.
Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevüt Çavuşoglu gjithashtu deklaroi të enjten se Putin do të shpallë datën e vizitës së tij në Turqi në shkurt pas kthimit të tij nga Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
Në një intervistë të transmetuar të mërkurën, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të presë liderët e Rusisë dhe Ukrainës për të “hapur rrugën për rivendosjen e paqes” pasi tensionet midis dy vendeve tregojnë pak shenja të zvogëlimit, transmeton rtv21.tv.
“Turqia dëshiron që tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës të zgjidhen përpara se të kthehen në një krizë të re”, tha presidenti.
Turqia ka ndjekur nga afër zhvillimet dhe është në kontakt të ngushtë me Kievin dhe Moskën. Erdogan kishte thënë se Turqia mund të ndërmjetësojë mes fqinjëve në mes të tensioneve në rritje në rajon dhe së fundmi njoftoi planet për të vizituar Ukrainën në shkurt për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve.
Anëtari i NATO-s, Turqia ka lidhje miqësore me Kievin dhe Moskën, por kundërshton politikat ruse në Siri dhe Libi, si dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina janë të hapura ndaj idesë që Turqia të luajë një rol në zbutjen e tensioneve midis dy vendeve, siç u propozua nga Ankaraja në nëntor, sipas burimeve diplomatike turke./21Media

Back to top button