Putin telefonon Erdoganin dhe Asadin, iu ofron ndihmë

Presidenti rus, Vladimir Putin zhvilloi telefonata të veçanta me homologun e tij turk dhe sirian, Rexhep Tajip Erdogan dhe Bashar al-Asad, të hënën dhe u zotua për ndihmën e Moskës pas tërmeteve shkatërruese, sipas një komunikate të Kremlinit.
Putin i shprehu Erdoganit “ngushëllime të thella për tërmetet shkatërruese” dhe “riafirmoi gatishmërinë e tij për t’u ofruar menjëherë partnerëve turq ndihmën e nevojshme për eliminimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore”, thuhet në raport.
Sipas komunikatës ruse, Erdogan “falenderoi ngrohtësisht” Putinin dhe tha se ai po udhëzonte departamentet kompetente të vendit të pranonin ndihmën e shpëtimtarëve rusë”.
Në një bisedë me Asadin, Putin gjithashtu përcolli ngushëllimet e tij dhe “ofroi palës siriane ndihmën e nevojshme për eliminimin e pasojave të kësaj fatkeqësie”, të cilën Assad e pranoi, sipas Kremlinit.
“Bashar al-Assad e pranoi këtë ofertë me mirënjohje dhe në orët e ardhshme, shpëtimtarët nga Ministria ruse e Emergjencave do të fluturojnë për në Siri”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Rusia është fuqia e huaj më e fortë që vepron në Siri, dhe Putin ka kohë që është aleat me Asadin, duke hedhur peshën e plotë të ushtrisë ruse pas Ushtrisë Siriane./21Media

Back to top button